Velaj në Vjenë: Europianizim mendor dhe shpirtëror i Shqipërisë

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/- “Europa nuk fillon në Vjenë, as në Berlin, Paris, Bruksel e Romë, por ajo fillon tek pragu i shtëpisë së secilit prej nesh që jeton në Shqipëri, në Austri, Gjermani, Francë e Belgjikë”.

Kështu deklaroi deputeti i PS, Fate Velaj gjatë seancës plenare në Cosac në Vjenë përpara deputetëve në parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duke theksuar se ndërsa shqiptarët presin të bëhen pjesë e Bashkimit Europian, qeveria ka përmbushur me sukses sugjerimet si dhe kriteret e vendosura pa të cilat, anëtarësimi i Shqipërisë nuk do të mund të ishte kaq pranë.

“Qeveria e Edi Ramës, përveç kërkesave tuaja legjitime, ka marrë dhe një rol tjetër e që është tejet i duhur në këtë kohë ndryshimesh të mëdha, siç është dhe europianizimi mendor e shpirtëror i vendit, pasi për mendimin tim, Europa nuk fillon në Vjenë, as në Berlin, Paris, Bruksel e Romë. Europa fillon tek pragu i shtëpisë së secilit prej nesh që jeton në Shqipëri, por edhe atyre që jetojnë në Austri, Gjermani, Francë e Belgjikë. Por, qeveria Rama, ka kryer dhe reforma të rëndësishme në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar”, – tha Velaj përpara deputetëve të vendeve anëtare në BE.

Më tej, ai e konsideroi një kënaqësi të veçantë për fjalën e mbajtur në seancën plenare në Vjenë dhe falënderoi për ndihmën e dhënë Shqipërisë për të përparuar drejt procesit të integrimit në BE.

“Në emër të atyre që presin të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian, shqiptarëve, unë dua t’ju falënderoj për ndihmën e dhënë deri më sot pa të cilën, nuk do i kishim bërë kaq shumë hapa për tek ju. Dhe, unë jam mëse i sigurt, të nderuara zonja dhe zotërinj, se ne i kemi përmbushur me sukses sugjerimet si dhe kriteret që ju na keni vendosur, pa të cilat ardhja jonë kaq pranë jush, nuk mund të ishte kaq e sigurt”, përfundoi Velaj.

/a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.