Shkodra zbukurohet për festat e Nëntorit

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/- Rrugët e qytetit të Shkodrës janë zbukuruar me flamuj kombëtarë, në prag të festave kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit.

Në pedonalen përpara bashkisë së Shkodrës dhe në atë “Kolë Idromeno” dekorimet festive si flamuj dhe banera kanë mbushur rrugët dhe sheshet.

Këto zbukurime janë bërë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike pranë bashkisë Shkodër, në kuadër të 106-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 74-vjetorit të Çlirimit.

Dekorimet për festat kombëtare të Nëntorit janë kthyer tashmë në traditë në qytetin e Shkodrës dhe do të vendosen edhe në rrugë të tjera.

Në kuadër të festave të nëntorit, bashkia do të organizojë “Javën e Pavarësisë”, ku do të organizohen një sërë aktivitetesh “Fjala Artistike”, ekspozita “Salloni i Vjeshtës”, koncerti me këngë e valle “Festojmë për Pavarësinë”, Maratona e Pavarësisë Ulqin-Shkodër, ekspozita “Konferencë mbi figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, si frymëzues i Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, “Pasuri bibliografike mbi Skënderbeun” në bibliotekën “Marin Barleti”, parada në qytet e orkestrës frymore të bashkisë Shkodër, etj. /k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.