Sfida me Uellsin, gripi largon Manajn nga grumbullimi i Kombëtares

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ – Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj është larguar nga grumbullimi i përfaqësueses përpara sfidës së mbrëmjes së sotme në miqësoren ndaj Uellsit.

Burime nga Federata Shqiptare e Futbollit bëjnë të ditur se, sulmuesi i “Albacete”-s në Spanjë është larguar nga grumbullimi për shkak të gripit.

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të zbresë sot në orën 20:00 në “Elbasan Arena” për t’u ndeshur ndaj Uellsit.

Kjo miqësore vjen pas humbjes në “Loro Boriçi” ditën e shtunë ndaj Skocisë me rezultatin 4-0.

Shqipëria ndaj Uellsit ka nevojë për një reagim, megjithëse do të jetë pa sulmuesin titullar të ndeshjes më Skocinë, Rey Manaj.

Sfida ndaj Uellsit nuk është një ndeshje e lehtë, pasi yllli i skuadrës është Gareth Bale. Uellsi renditet i 18-i në botë, edhe pse rezultatet e fundit nuk i ka pasur pozitive, me 3 humbje në 4 ndeshjet më të freskëta.

Uellsi është një provë e fortë, sidomos për Shqipërinë, që nuk shënon gol prej katër ndeshjesh, ndërkohë që është ndëshkuar në tetë raste.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.