FOTO/ “Lulëkuqja dhe Kujtimi”, Paul Celan vjen në gjuhën shqipe

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ – Poeti i madh gjerman i pas Luftës së Dytë Botërore, Paul Celan erdhi për lexuesin shqiptar në Panairin e Librit ”Tirana 2018” me vëllimin poetik ”Lulëkuqja dhe Kujtimi”, ku çdo poezi është një vepër arti.

Poezitë e tij enden midis jetës dhe vdekjes, midis kujtimit dhe harresës, midis luleve që çelin dhe zjarrit zhuritës, polaritet ky që kuptohet që në titull.

Ministrja e Kulturës është shprehur për këtë autor se, ”poeti i madh gjerman i pas Luftës së Dytë Botërore, Paul Celan, që i dha botës vargje të papërsëritshme, botohet për herë të parë në edhe në shqip”.

”Ministria e Kulturës, organizata ‘Traduki’ dhe Ambasada gjermane në Tiranë e mbështetën botimin e këtij libri, si një mjet të shkëlqyer të komunikimit ndërkulturor mes vendeve. Nuk mjafton të jesh përkthyes për të përkthyer poezi, duhet të jesh poet të përkthesh poezi, prandaj falenderoj përkthyesen Arnila Spahija dhe Botimet Toena për punën e mirë që kanë bërë me ‘Lulëkuqja dhe Kujtimi’”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Vëllimi poetik ”Lulëkuqja dhe Kujtimi” pohon traditën dhe aftësinë ripërsëritëse të poezisë gjermane. Paul Celan ishte i pari poet i gjuhës gjermane, që faktet e tmerrshme dhe përvojat e Holokausit i përktheu në lirika. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.