Buxheti 2019, modernizim i spitaleve rajonale dhe materniteteve

145

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ – Buxheti i vitit 2019 parashikon një rritje page për 7%, nga e cila do të përfitojnë rreth 18.416 mjekë dhe infermierë të shërbimit publik shëndetësor.

Lajmi u konfirmua nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në paraqitjen e buxhetit për vitin 2019, i cili parashikon që për këtë Ministri të akordojë një buxhet prej 74 miliardë e 594 milionë e 377 mijë lekë.

“Buxheti 2019 parashikon rritje page prej 7% për 18.416 mjekë dhe infermierë të shërbimit publik. Buxheti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2019 është 74 miliardë e 594 milionë e 377 mijë lekë, ose sa 4,26% i PPB. Investimet në Shëndetësi kanë rritjen më të madhe, me mbi 20%”, – tha Manastirliu.​

Duke u ndalur te kushtet e sistemit shëndetësor, ministrja Manastirliu bëri me dije se qeveria shqiptare ka si synim kryesor përmirësimin e këtij sistemi dhe tregues për këtë është rritja me 5% e buxhetit për vitin 2019 krahasuar me vitin 2018.

“Në vitin 2019 ne do të vijojmë financimin për programin e kontrollit bazë si dhe do të zgjerojmë financimin e programit të depistimit për parandalimin e kancerit të gjirit. Financojmë direkt me para publike këto investime duke përmbushur rreth 85% të nevojave të vendit, nga 40% që ofroheshin më parë. Rehabilitimi i 100 qendra shëndetësore dhe ambulancave në vitin 2019 me vlerë investimi rreth 300 milionë lekë, në kuadër të programit tonë për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore brenda këtij mandati, 80 prej të cilave po përfundojnë këtë vit”, – përfundoi Manastirliu. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.