Ahmetaj për koncesionet: Nuk do pranohen më oferta të pakërkuara nga 1 korriku 2019

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ – Në Komisionin e Ekonomisë u diskutua sot projektbuxheti i vitit 2019 në parim, ku në qendër të debatit ishte partneriteti publik privat.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj citoi ligjin e ri të partneritetit publik privat që pritet të ndryshojë mënyrën se si do të veprohet në të ardhmen me ofertat e pakërkuara.

Ahmetaj theksoi se nuk do të ketë më PPP të pakërkuara në një sërë sektorësh.

“Konkretisht me anë të këtij ligji është propozuar që nga 1 korriku 2019 në transport dhe infrastrukturë nuk do të ketë PPP me ofertë të pakërkuar. Po kështu do të bëhet heqja e bonusit për PPP të pakërkuara, ndërkohë që dhe ato që do të mbeten, pra portet dhe aeroportet, do të hiqet bonusi”.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha se mazhoranca ka vendosur një standard të ri duke rritur transparencën përsa i përket koncesioneve, ose ndryshe partneritetit publik privat.

Ahmetaj tha se kjo qeveri i ka vendosur vetes dhe qeverive pasardhëse dy standarde të rëndësishme transparence, ndaj partneritetit publik privat duke e vendosur në detyrim ligjor.

“Kushti i parë, shuma që buxheti i shtetit duhet të paguajë për koncesionet nuk duhet të kalojë masën 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës”, tha ai.

Ministri tha se kushti i dytë është që Kuvendi miraton tavanin e vlerës totale të kontratave në përqindje të prodhimit të brendshëm bruto për të gjitha projektet koncesionare.

“Është hera e parë që është bërë një listë e plotë e të gjithë koncesioneve që nuk ka ekzistuar kurrë më parë”.

Ministri deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se “kufiri prej 5% të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës respektohet pasi në buxhetin e shtetit të vitit 2019 shuma që do të shkojë për pagesën e koncesioneve është 3%. Ndërsa në 2020 dhe 2021 vlera do të jetë 3,3% dhe 3,4 %”.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj deklaroi se “vlera totale e kontratave të dhëna PPP është 807 miliardë lekë nga të cilat 391 miliardë lekë janë të hidrocentraleve”.

Sipas Ahmetaj, 262 hidrocentrale vijojnë të jenë akoma në proces ndërkohë që balanca e fryrë e PPP është pikërisht kjo që raportohet.

Në fjalën e tij numri një i Financave theksoi se PPP-të janë një alternativë që shton asetet por edhe mundëson shërbime për qytetarët duke sjelle në vëmendje disa vepra infrastrukturore, por edhe partneritete tek shëndetësia.

“Dua të sqaroj përse qeveria është e angazhuar për zhvillimin e disa koncesione me partneritet publik privat në infrastrukturë. Vlera për zbatimin e këtyre projekteve shkon përtej një miliardë euro dhe nuk mund të përballohet nga buxheti i shtetit. Mazhoranca do t’i afrojë qytetarët e Dibrës me kryeqytetin duke ndërtuar Rrugën e Arbrit. E njëjta gjë vlen edhe për popullin e Shkodrës, e njëjta gjë vlen edhe për zonat e tjera që do të përfitojnë nga koncesionet në infrastrukturë”.

Ministri i Financave në fund bëri edhe një sqarim përsa i përket disa projekteve madhore që priten të zbatohen në të ardhmen, “rruga Tiranë-Durrës, Kashar-Rrogozhinë, aeroporti i Kukësit dhe aeroporti i Vlorës do të ndërtohen me kapital tërësisht privat dhe nuk do të akordohet asnjë lek nga buxheti i shtetit”.

Kryetari i këtij Komisioni, Erion Braçe u shpreh se partneriteti publik privat është një instrument ligjor dhe ekonomik.

Braçe vlerësoi punën që është bërë për transparencën e kontratave të PPP dhe koncesioneve, por duhet edhe një analizë e thellë, një monitorim fiskal dhe produktivitet i tyre.

Po sot, Komisioni miratoi në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019” dhe projektligjeve financiare që e shoqërojnë atë, duke ia përcjellë për shqyrtim seancës plenare.

/o.l/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.