Vetingu në politikë, delegacioni i Komisionit të Venecias në Kuvend

TIRANË,19 nëntor /ATSH- I. Vata/ – “Venecia mbetet taban i demokracisë dhe ne besojmë te Komisioni i Venecias dhe mirëpresim opinionin e tyre”,  tha kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja pas takimit me delegacionin e Komisionit të Venecias që ndodhet në Shqipëri, lidhur me projektin kushtetues për vetingun e politikës.

Në fjalën e tij para medieve, Manja tha se në këndvështrimin tonë, takimi me delegacionin ishte shumë i frytshëm.

“Ishte një takim informues, sqarues me pyetje dhe përgjigje nga të dyja palët. Ne shpresojmë dhe  besojmë shumë në kompetencat dhe autoritetin e Komisionit të Venecias lidhur me opinionet e tyre për ndryshimet kushtetuese. Natyrisht, shpjegimet dhe mendimet tona do ua dozojmë edhe me shkrim, edhe pse në materialin tonë që kemi dërguar në Venecia ne i kemi drejtuar disa pyetje Komisionit të Venecias, por gjithsesi ne e mirëpresim opinionin miqësor të Komisionit të Venecias, si tabani i demokracisë”, tha ai.

Duke sjellë në vëmendje ndryshimet në kohë të Kushtetutës në Shqipëri, Manja tha se “të gjitha ndryshimet kushtetuese që ka ndërmarrë Shqipëria pas viteve 1990 dhe këtu i referohem Kushtetutës së re të vitit 1998, por dhe ndryshimeve të mëvonshme kushtetuese në kuadër të Reformës në Drejtësi dhe ligjit të dekriminalizimit, ne vazhdimisht kemi marrë opinionin e Komisionit të Venecias”.

Më tej Manja shtoi se “pak më parë ndoqa prononcimin dhe nga opozita, që u shprehen që takimi me Komisionin e Venecias ka qenë frytdhënës dhe besojnë shumë në ndihmën që ata japin. Çudia është se nuk dimë kujt t’i besojmë, asaj që tha Spaho sot, apo asaj që tha kryetari i opozitës dje në Berat, ku u shpreh se “nuk e di pse vijnë ata të Komisionit të Venecias, se ne nuk i kemi ftuar, ndërkohë që Spaho dhe delegacioni i opozitës e konsideruan takimin frutdhënës dhe beson në ndihmën e Komisionit të Venecias”.

Po ashtu, Manja tha se në fakt opozita, vazhdon të jetë inkoherente në qëndrimet e saj, sa herë që bëhet fjalë për Komisionin e Venecias dhe këtu ka parasysh liderin e opozitës Basha, që kur ishim në fazën e ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, ai tha “nuk pranojmë ndryshim kushtetues pa opinionin e Komisionit të Venecias”, ndërsa dje tha një gjë krejt tjetër.

“Ne vazhdojnë të besojmë se Venecia vazhdon të mbetet tabani i demokracisë dhe sa herë të bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese ne do ta mirëpresim opinionin e Venecias”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.