Tekniku italian i Kombëtares: Duhet të dalim nga kriza

TIRANË, 19 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/- E ardhmja e Kristian Panuçit është në duart e Armando Dukës, presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Trajneri i Kombëtares sonë gjatë konferencës për shtyp në prag të sfidës ndaj Uellsit është shprehur se nuk është ai që vendos për largimin, por Duka.

“Kjo pyetje i duhet bërë Dukës, jo mua. Do punoj derisa të më thonë që nuk jam më trajner i Shqipërisë. Do të vazhdoj punën, duke kërkuar ekuilibër dhe ndryshim për mirë. Duhet të mendoj vetëm të zgjidh problemet e skuadrës, këtu ka shumë të vërteta që nuk ka asnjë interes për t’i thënë”, tha Panuçi.

Sipas tij, rëndësi në këtë moment delikat për kombëtaren është dalja nga kriza. “Siç thashë pas ndeshjes kundër Skocisë, unë jam përgjegjës absolut për këtë moment të vështirë. Kush thotë që kemi një vit e gjysmë që nuk ecim mirë, u kujtoj që e mora Shqipërinë në vendin e katërt dhe dolëm në vendin e tretë. Askujt nuk i intereson që të thotë se prej një viti që mungojnë 6-7 lojtarë në çdo ndeshje. Imagjinoni që 10-12 lojtarë që grumbulloj nuk luajnë as në klubin e vet, askujt nuk i ka interesuar kjo gjë. Këtu mendojnë se Shqipëria shkoi në Euro 2016 dhe duhet të kualifikohet çdo vit. Jam i bindur se Shqipëria mund të pretendojë kualifikimin në Europian, por vetëm nëse është e plotë. Duke qenë se unë jam përgjegjësi i vetëm për këtë moment të vështirë, sepse kam kërkuar të fus një ide futbolli këtë vit, sidomos për Nations League, sepse kemi pasur përballë ekipe të të njëjtit nivel, dhe duke qenë se njerëzit mendjemëdhenj nuk ndryshojnë ide, unë nuk e kam problem të pranoj që duhet të ndryshojmë, patjetër. Nuk kam kohë të punoj me skuadrën, t’i jap një kondicion fizik, nuk kam as kohë të bëj futboll të evoluar dhe duhet të bëj diçka ndryshe. Historia thotë një të vërtetë tjetër dhe duke qenë se unë nuk jam budalla, duhet të ndryshoj. Padyshim, sepse nëse vazhdojmë në këtë rrugë, i vë në vështirësi lojtarët”, tha tekniku kuqezi.

Nesër ndaj Uellsit do duhet krenari e madhe nga skuadra, dëshirë e madhe për të treguar se jemi persona seriozë. Duke qenë se unë dëgjoj një stadium që më ofendon, me të drejtë, me të drejtë, e vuaj shumë këtë gjë, sepse jam person serioz dhe mundohem të punoj me seriozitet. Duhet ta them se kam gabuar këtë vit në idenë e futbollit që doja të fusja. Për pasojë, ndryshojmë, nisim një rrugë tjetër, duke shpresuar që të jetë e duhura”, shtoi tekniku italian. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.