Ruçi, Atit të Shenjtë: Mirënjohje në emër të të gjithë shqiptarëve

Ati i Shenjtë, Ruçit: Vizitën në Shqipëri nuk do ta harroj kurrë

TIRANË, 19 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/- Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në krye të delegacionit të përfaqësuesve të popullit shqiptar mori pjesë në Udiencën që mbajti Papa Francescu me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Në Udiencë morën pjesë personalitete të larta shtetërore nga Shqipëria, përfaqësues të komuniteteve fetare, personalitete të artit, kulturës e medias si edhe përfaqësues të arbëreshëve dhe komuniteteve të diasporës shqiptare nga SHBA dhe vende të tjera.
“Në harkun kohor të katër viteve të fundit, ju i jeni dedikuar tri herë vendit tim, Shqipërisë”, – iu drejtua Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Atit të Shenjtë Papa Francescut. Në vitin 2014 vizituat Shqipërinë dhe takuat nga afër popullin shqiptar. Në vitin 2016 shenjtëruat Shën Nënë Terezën e Kalkutës dhe të Shqipërisë. Dhe tani po prisni përfaqësuesit e popullit shqiptar me rastin e 550-vjetorit të Skënderbeut, mbrojtësit të Krishtërimit dhe Atletit të Krishtit. Ju shpreh mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve!”

“Për mua vizita në Shqipëri është e paharrueshme”, – iu drejtua Ati i Shenjtë, Kryetarit Ruçi.

“Klima e respektit dhe besimit të ndërsjelltë ndërmjet katolikëve, orthodhoksve e myslimanëve është një pasuri e çmueshme për vendin”, – ju drejtua Ati i Shenjtë të pranishmëve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.