Persekutimi komunist i Mid’hat Frashërit, AIDSSH publikon online dokumentet arkivore

TIRANË, 19 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit  nis ndriçimin e dokumentet e persekutimit komunist të Mid’hat Frashërit, eshtrat e të cilit tashmë prehen në Atdhe, sipas amanetit të tij.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit publikon në faqen zyrtare listën e dokumenteve arkivorë të përndjekjes së Sigurimit ndaj Mid’hat Frashërit.

Materialet janë disa qindra faqe dhe vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë dhe më gjerë.

Konkretisht, janë identifikuar: Viti 1945, Dosje – fashikull me dokumente mbi veprimtarinë tradhtare të kriminelit të luftës Mid’hat Frashëri gjatë okupacionit në arrati.

Viti 1945, Dosje – fashikull me dokumente të kriminelit të luftës Mid’hat Frashëri mbi veprimtarinë e tij armiqësore dhe antikombëtare gjatë regjimit të Zogut.

Viti 1945, Informacione mbi veprimtarinë e Ballit Kombëtar, promemorie mbi formimin e disa qeverive gjatë luftës, lista e informatorëve në shërbim të Jugosllavisë para lufte e që ndiqeshin nga autoritetet italiane dhe lista emërore e personelit italian në Shqipëri, ndodhet vetëm në origjinal.

Viti 1945, Historiku i ish-Legatës dhe Konsullatës italiane në Shqipëri deri më 1943, skica e vendndodhjes

Viti 1953, Shënime për Komitetin Shqipëria e Lirë, vlerësuar si pasardhëse e Ballit Kombëtar. Viti 1954, Historiku i Ballit Kombëtar, lista sipas qarqeve. Viti 1954, Historiku i Ballit Kombëtar, para dhe pas vitit 1944. Viti 1947, Raporte informative mbi gjendjen dhe veprimtarinë armiqësore të emigracionit reaksionar shqiptar në Itali dhe dokumente mbi organizatën “Balli Kombëtar” në megrim. Viti 1950, Historiku i organizatës së Ballit Kombëtar dhe veprimtaria e saj në Shqipëri dhe në mërgim. Thirrjet e Kongresit të kësaj organizate dhe polemika mbi organizatat e tjera të emigracionit reaksionar shqiptar në perëndim

Të gjithë dokumentet vihen në dispozicion të të interesuarve, studiuesve, medias, mbi bazë kërkese dhe konform ligjit në fuqi.

Duke i vënë në dispozicion të publikut këto materiale, AIDSSH krijon mundësi për njohje të thelluar me dokumente, procesverbale, dosje e statistika të periudhës së marrë në shqyrtim, mbi rezistencën dhe përndjekjen, për të hedhur dritë mbi të shkuarën me baza profesionale dhe transparencë, në komunikim të hapur me publikun.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.