Paketa fiskale 2019, investitorët pro qëndrueshmërisë tatimore

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ – Gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Ekonomisë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, vlerësoi me nota pozitive faktin që paketa fiskale e vitit të ardhshëm nuk ka ndryshime rrënjësore.

Sipas kreut të Bankës së Shqipërisë ky trend vlerësohet pozitivisht nga investitorët e huaj dhe vendas.

“Paketa fiskale që shoqëron projektbuxhetin, nuk parashikon ndryshime rrënjësore në sistemin tatimor. Qëndrueshmëria tatimore është një vendim i mirëpritur nga investitorët e huaj dhe vendas”.

Guvernatori Gent Sejko shtoi ky projekt buxhet paraqet një situatë ekonomike të qëndrueshme edhe për sa i përket skemave strukturore.

“Nga ana tjetër parashikimi i skemave strukturore paraqitet i qëndrueshme”.

“Deficiti i skemës se sigurimeve shoqërore apo ndryshe skema e pensioneve, pritet të jetë rreth 1,5% e prodhimit të brendshëm bruto. Brenda parashikimeve të bëra për këtë sistem dhe ne një trajektore rënëse”, tha Sejko.

Në fund Banka e Shqipërisë, sugjeroi të shihen hapësirat për reduktimin e mëtejshëm të deficitit të skemave strukturore. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.