Kupa e Shqipërisë në volejboll, përcaktohet kalendari i eliminatoreve

 TIRANË, 19 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/- Pasi kanë përfunduar ndeshjet e fazës së parë në volejbollin për femra dhe pritet të mbyllet edhe faza e parë te meshkujt, është duke u përgatitur fillimi i Kupës së Republikës në Vollejboll.

Lajmin e ka konfirmuar Federata Shqiptare e Volejbollit, që bën publike edhe datat se kur do të zhvillohen takimet e kësaj faze, me pjesëmarrjen e skuadrave më të mira. Ndeshjet në Volejboll për femra do të luhen më datat 30 nëntor-2 dhjetor, ndërsa ato të meshkujve do të luhen një javë më vonë, në datat 7-9 dhjetor. Për t’u përcaktuar mbetet vetëm vendi se ku do të luhen këto ndeshje, që do të zyrtarizohen më vonë nga FSHV (bashkë me oraret).

Federata konfirmon gjithashtu edhe përbërjen e grupeve, që do të përcaktohet në përfundim të fazës së parë, pasi renditja e skuadrave do të zyrtarizojë përbërjen e tyre. Në Grupin A do të luajnë ekipet e renditura në vendet 1, 4, 5 dhe 8 (meshkuj e femra), ndërsa në Grupin B do të luajnë ekipet e renditura në vendet 2, 3, 6, 7 (femra) dhe 9 (meshkuj).

Sa i takon femrave, që e kanë mbyllur fazën e parë rezulton që të jenë: Rrësheni, Partizani, Teuta dhe Lushnja

Ndërsa në Grupin B janë: Barleti, Tirana, Skënderbeu dhe Vllaznia. Tek meshkujt duhet pritur mbyllja e fazë së parë për të përcaktuar ndarjet. j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.