Komandanti i FSK-së në Forumin Ndërkombëtar në Halifax-Kanada

PRISHTINË, 19 nëntor /ATSH/ – Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës gjeneralejtnant Rrahman Rama në kuadër të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, ishte mysafir i Panelit të Forumit, bashkë me ministrin e Mbrojtjes së Kanadasë, Hajrit Sajjan me tematikën “Parimet e Vankuverit dhe Misionet Paqeruajtëse”. Në këtë kuadër, komandanti i FSK-së gjeneral Rama theksoi suksesin e misionit ndërkombëtar në Kosovë lidhur me ndërtimin e kapaciteteve vendore të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe shprehu gatishmërinë që Kosova të jetë ofrues i sigurisë në të ardhmen.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të sigurisë në Halifax të Kanadasë, u takua me homologun e tij nga Kanadaja, gjeneralin Jonathan Vance, shef i Mbrojtjes i Forcave të Armatosura të Kanadasë, me të cilin diskutuan për  mundësitë e thellimit të bashkëpunimit. Komandanti i FSK-s, gjithashtu, e njoftoi homologun e tij edhe me procesin e tranzicionit dhe ndryshimin e mandatit të FSK-së.

Gjeneral Rrahman Rama është takuar edhe me Komandantin Suprem të Forcave të Armatosura të Suedisë, gjeneralin Micael Bydén, ku diskutuan lidhur me progresin e FSK-së, kontributin e Suedisë në NALT (Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s për FSK-në) si dhe për vazhdimin e një bashkëpunimi më dinamik në të ardhmen në mes të dy forcave.

Gjatë punimeve të forumit, komandanti i FSK-së gjeneral Rama ka biseduar edhe me  kryeshefin e shefave të Shtabit të Ushtrisë Amerikane, gjeneralin Joseph F. Dunford, në pritjen e organizuar nga shefi i Mbrojtjes së Kanadasë me rastin e Forumit Ndërkombëtar. Komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama falenderoi gjeneralin Dunford për mbështetjen e vazhdueshme si dhe për marrëdhëniet e veçanta që ka Kosova me SHBA-të.

Komandanti i FSK-së i ka siguruar homologët që Forca e Sigurisë do të vazhdojë të jetë institucioni më i besueshëm në vend dhe se gjithëpërfshirja dhe profesionalizmi do të jenë rrugëtimi i suksesit. “Forca do të jetë në shërbim të të gjithëve pa dallime, edhe përkundër vështirësive dhe presioneve që po vijnë nga jashtë Kosovës”, theksoi ai.  /b.j//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.