Hysi pret reporterët e Komisionit të Venecias

105

TIRANË,19 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, priti sot në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, delegacionin e reporterëve të Komisionit të Venecias.

Anëtarët e delegacionit të pranishëm në takimin me Hysin ishin Veronika Bilokva, zëvendëspresidente e Komisionit të Venecias; Jorgen Steen Sorensen, anëtar i Komisionit;  James Hamilton, ish-anëtar zëvendësues i Komisioni dhe Artemiza-Tatiana Chisca, shefe e Departamentit për të Drejtat Themelore dhe Institucionet Demokratike në Komisionin e Venecias.

Reporterët gjenden në Shqipëri për një qëndrim dyditor, në kuadër të vizitave për mbledhjen e të dhënave të nevojshme për përpunimin e opinionit zyrtar të Komisionit të Venecias lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në fjalën e saj Hysi, vlerësoi rolin dhe kontributin e Komisionit të Venecias në Reformën në Drejtësi dhe për disa nisma të tjera ligjore të miratuara, ose që janë në procedurë parlamentare, përfshirë edhe nismën në fjalë.

Gjithashtu, ajo informoi për procedurën e ndjekur deri tani nga Mbledhja e Përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut lidhur me shqyrtimin e nismës dhe bërjen e njohur të saj për zgjedhësit; për procesin e prezantimit dhe konsultimit të nismës me përfaqësues të botës akademike, të shoqërisë civile, profesioneve të lira, biznesin, pedagogë dhe studentë të ligjit dhe shkencave politike në universitetet e vendit.

Më tej, Hysi bëri një paraqitje të përmbledhur të risive të Reformës në Drejtësi në fushën e parandalimit, hetimit dhe dënimit të veprave penale të korrupsionit dhe të lidhjeve të funksionarëve të lartë me krimin e organizuar, goditjen e pasurive që burojnë nga veprimtari kriminale, përshirë veprat penale të korrupsionit, ndryshimet në ligjin për deklarimin e pasurive, nën Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale.

Ndërsa Reporterët e Komisionit të Venecias kërkuan të mësojnë më tepër lidhur me: mekanizmat ligjor ekzistues, që kanë sferë të njëjtë veprimtarie me mekanizmat e parashikuar në kërkesën ligjore të opozitës; rolin e KQZ-së, Kuvendit e posaçërisht Këshillit të Rregullores dhe Mandatet në Kuvend në rastet e kufizimit ose heqjen e mandateve të deputetëve; precedentët e mëparshëm të procedurave të heqjes së mandatit për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë.

Për reporterët e e Komisionit të Venecias, me interes ishte ecuria e procesit të Vetingut dhe të dhënat e tij të para.

Po ashtu, të pranishmit kërkuan të dinë nëse  ka një qëndrim nga ana e mazhorancës lidhur me nismën ligjore të Opozitës.

Në këtë pikë, Hysi i bëri me dije delegacionit se mazhoranca ishte në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias dhe se marrja e opinionit nga Komisioni i Venecias është vendim i mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Gjithashtu, Hysi shprehu vullnetin për nxitjen e zbatimit  të reformës në drejtësi dhe për fillimin sa më shpejt  nga funksioni të organeve të reja të sistemit të drejtësisë.

Sipas axhendës paraprake, delegacioni i Komisionit të Venecias u takua me përfaqësues të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, anëtarë të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; me Edmond Spaho, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe me Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.