Volejboll – “Rrësheni” vijon në krye, “Tirana” mundet nga “Barleti”

TIRANË, 18 nëntor/ATSH- A. Fortuzi/-Skuadra e “Rrëshenit” vijon të jetë në krye të renditjes në Ligën e Parë të volejbollit për femra. Gjatë ditës së shtunë janë luajtur ndeshjet e javës së shtatë dhe të fundit të fazës së parë në kampionatin Kombëtarë në Volejboll për femra. Vajzat mirditore pasi fituan derbin me “Tiranën” javën e shkuar, tashmë kanë arritur një tjetër sukses ndaj Lushnjes në transfertë, me rezultatin 0-3 (13-25; 21-25, 13-25). Paralelisht me këtë sfidë në Korçë u zhvillua ndeshja “Skënderbeu”- “Vllaznia” e fituar nga korçaret me rezultatin 3-1 (26-24; 26-28; 25-17; 25-20). Ndërkohë, në Durrës “Partizani” fitoi bindshëm ndaj durrsakëve me rezultatin 0-3 (17-25; 19-25; 10-25). Supersfida e javës, derbi mes “Tiranës” dhe “Barleti Volej” përfundoi 1-3 për vajzat e trajnerit Hasan Gurabardhi. Pas një fillimi tepër të mirë për të besuarat e Gorenxës, “Barleti” bëri një përmbysje të mrekullueshme në pallatin e sportit “Farie Hoti” në Tiranë.

Seti i parë u fitua bindshëm nga “Tirana” me rezultatin 25-12, ndërsa menjëherë ka ardhur barazimi i “miqve” 15-25. Atëherë kur u mendua se bardheblutë do të reagonin sërish, “Barleti” ka arritur të gjejë epërsinë, duke fituar edhe setin e tretë me rezultatin 25-21, një goditje nga e cila vajzat bardheblu nuk arritën të reagojnë, duke humbur dhe setin e tretë me rezultatin 25-20. Tashmë renditja kryesohet nga “Rrësheni”, por në vendin e dytë nuk është më “Tirana” por “Barleti”, vetëm një pikë larg Mirditoreve. Kampionet në fuqi të “Partizanit” janë në vendin e katërt një pike larg “Tiranës”, teksa skuadra e “Lushnjes” mbyll klasifikimin me vetëm një pike të fituar./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.