25-vjetori i themelimit të Misionit Katolik Shqiptar, koncert në Vjenë

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Nën tingujt e violinistit të mirënjohur Shkëlzen Dolit dhe mezosopranos Flaka Gorancit, në Vjenë të Austrisë filloi kremtimi i 25 vjetorit të themelimit të Misionit Katolik Shqiptar në Austri. Dy artistët  nën dirigjimin e Michael Maciaszczyk dhe orkestrës së Dhomës (Das Österreichische Kammerorcheste) dhuruan një koncert të paharrueshëm, duke interpretuar vepra të njohura të kompozitorëve klasikë me famë botërore e deri të veprat e pavdekshme shqiptare si: Baresha e kompozime tjera shqiptare.

Të pranishëm  në këtë koncert ishin: Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në qeverinë e Kosovës, Anton Berishaj, Ambasadori i Shqipërisë, Roland Bimo, ai i Kosovës, Sami Ukelli, ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, krerë të kishës katolike në Austri, si dhe miq dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme austriake dhe shqiptare.

Ky jubile do të zgjasë tre ditë dhe është organizuar nga famullitari i kishës katolike shqiptare në Austri, Don Nikson Shabani në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri.

“Misioni është themeluar në vitin 1993. Komuniteti shqiptarë katolikë numëron mbi 1300 familje me mbi 6 mijë besimtarë”, theksoi Don Niksoni para të pranishmeve, njofton “albinfo.ch”.

Aktivitetet e kremtimit të themelimit të Misionit Katolik Shqiptarë në Austri janë pjesë e “Javëve të Kulturës Shqiptare” në Austri të cilat kanë filluar nga 13 nëntor dhe do të zgjasin deri me 8 dhjetor. j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.