Panairi i librit, “Toena” prezanton autorët e rinj

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Në panairin e librit “Tirana 2018”, u zhvillua takimi letrar me autorët e rinj në stendën e Botimeve “Toena”. Renis Hyka prezantoi Librin ”Samsara”; Ilir Hysenaj vjen me ”Për dashurinë, jetën dhe gjërat midis”, Aleksandra Kreku me librin e tij ”Sytë e fajkoit; si dhe Sarina Llogo me librin e saj ”Përtej ëndrrës së një balone”.

Termi “Samsara” në doktrinat e filozofive të lashta indiane nënkuptonte ciklin e ekzistencës, pra lindjen, jetën, vdekjen e më pas rilindjen. Bashkë me samsarën, në të njëjtën filozofi gjejmë edhe dy terma të tjerë të lidhur me të: māyā realiteti është thjesht iluziv dhe avidyā, injoranca metafizike ku ndodhet njeriu. Pra, njeriu përherë sipas kësaj doktrine jeton në një realitet iluziv nga i cili nuk del dot për faj edhe të injorancës metafizike që ka mbërthyer qenien njerëzore. Për këtë arsye përherë sipas kësaj doktrine, njeriu i ngecur në samsarë është i dënuar të përsërisë ekzistencën e tij për një faj të paqartë. Kjo lloj doktrinë, që ka një frymë pesimiste, fataliste, apo dhe mohuese është e kundërta e asaj ekzistencialiste që kërkon të gjejë një rrugë në një labirint me mure të larta. Raporti zgjedhje-ankth-liri qëndron në të njëjtën paralele me māyā-avidyā-samsara, por në kahun pozitiv e kërkon të dalë nga paqartësia. Njeriu ZGJEDH, për të dalë nga iluzioni (māyā), dhe në zgjedhjen që bën (kur ai arrin ta konceptojë si të tillë) njeriu mbërthehet në ethet e ANKTHIT, sepse njeriu bëhet i vetëdijshëm që çdo zgjedhje e përcakton atë si individ.

Libri i Aleksandër Krekut “Sytë e fajkoit” gërsheton ngushtësisht historinë (në kohë e hapësira të ndryshme) me prirjen filozofike, me imagjinatën e fantazinë rikonstruktuese të realiteteve të hershme dhe deri në ditët tona e, më pas, si një himn për jetën, për mirësinë e prosperitetin, për të shpëtuar botën nga e liga dhe i ligu. Është një libër i veçantë, interesant, me një udhëtim fantastiko-historik e imagjinativ në kohë e hapësirë në një tretje kohësh e hapësirash të së sotmes me të shkuarën referuese, duke e mbushur me personazhe të trilluara, por që i korrespondojnë personave apo dukurive historiko-shoqërore.

Sarina Logo vjen me librin e saj ”Përtej ëndrrës së një balone. Ka njerëz që luftojnë me jetën e tyre për ta jetuar dhe njerëz të tjerë që kërkojnë të marrin jetë thjesht, sepse mendojnë se ata kanë në dorë të vendosin për gjithçka. Ka njerëz që mundohen të jenë të fortë dhe njerëz që pa luftuar dhe pa provuar sa vlejnë caktojnë direkt përfundime filozofike se si duhet jetuar jeta. Jeta është e bukur. Vërtet furtuna ndonjëherë të merr gjithçka që ke, por në momente të caktuara gjithçka kthehet te ti. Ajo që të përket ty nuk ikën kurrë aq larg sa për të mos u kthyer më. Ti mund ta luftosh furtunën në jetën tënde dhe madje ke dhe forcën ta shkatërrosh atë. Ka të bëjë me zgjedhjen që bën gjithsecili në jetë. Një ditë kur të hapim sytë në mëngjes, të vishemi e të ecim rrugëve, do të mësojmë se forca jonë varet nga aftësia e të zgjedhurit kur nuk ka asnjë alternativë për të zgjedhuri.

/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.