TURQI – Prokurorët posedojnë audion e komandove, pak para vrasjes së Khashoggit

STAMBOLL, 16 nëntor /ATSH-ANSA/- Hetuesit turq kanë në dorë një audio të dytë të vrasësve të Jamal Khashoggi, regjistruar rreth 15 minuta para se gazetari disident të mbërrinte në konsullatën e Arabisë Saudite, ku dëgjohet se komandoja e dërguar nga Riadi “diskutonte se si do të ekzekutonte gazetarin”, njoftoi gazeta turke ”Hurriyet”.

Kjo dëshmi e mëtejshme bie ndesh me konkluzionet e nxjerra ditën e djeshme nga prokurori i përgjithshëm saudit, i cili mohoi paramendimin e krimit.

Megjithatë, nuk është e qartë se si autoritetet turke kanë marrë në dorë regjistrimin e supozuar.

”Në audio komandot dëgjohet se shohin përsëri planin e tyre, i cili ishte përgatitur më herët dhe ata i kujtojnë njëri-tjetrit detyrat”, shkruan gazeta duke konfirmuar se Ankaraja kishte edhe përgjimet e thirrjeve telefonike të vrasësve me Riadin, pas kryerjes së krimit, siç kishte raportuar në ditët e fundit edhe gazeta amerikane ”New York Times”./   /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.