Shqipëri-Skoci, Federata publikon çmimin e biletave

268

TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ – Të shtunën në mbrëmje kombëtarja shqiptare e futbollit, do të përballet me Skocinë, ndeshje e vlefshme për Ligën e kombeve. Sfida e “kuqezinjve” do të luhet në Shkodër në stadiumin “Loro boriçi”.

Federata Shqiptare e Futbollit, ka publikuar çmimet e biletave.

Biletat për këtë ndeshje do të kushtojnë nga 500 lekë në tribunat c2, c3, dhe c4, e deri te tribuna vip, ku një biletë do të kushtojë 900 lekë.

Në njoftimin e Federatës bëhet me dije se biletat do të shiten pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, pranë stadiumit “Skënderbeu” në Korçë, pranë stadiumit “Elbasan Arena” në Elbasan, pranë stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, pranë stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër dhe pranë dyqanit zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit në Tiranë në Rrugën e Elbasanit.

Kombëtarja shqiptare e futbollit ndodhet aktualisht në vendin e fundit në grup, i cili kryesohet nga Izraeli me 6 pikë, i ndjekur nga Skocia me 3 pikë dhe Shqipëria që ka po 3 pikë.

Kjo do të jetë ndeshja e fundit që “kuqezinjtë” do të luajnë në Ligën e Kombeve për këtë sezon. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.