ROMË – Salvini: Ndëshkimi i buxhetit do të dëmtonte më shumë BE-në sesa Italinë

ROMË, 16 nëntor /ATSH-ANSA/- Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini paralajmëroi Bashkimin Europian mbi efektet negative të masave të mundshme ndëshkuese ndaj vendit të tij pas mosmarrëveshjeve lidhur me buxhetin e vendit apenin.

“Ata duan të na sanksionojnë, por kjo do të dëmtonte më shumë BE-në sesa ne”, i tha ai gazetës italiane ”Il Messaggero”.

‘’Një procedurë shkeljeje godet 60 milionë italianë’’, shtoi kreu i partisë së krahut të djathtë, Lega.

“Nëse Brukseli dëshiron të na dëgjojë, do të ishte në interesin e të gjithëve, përndryshe do të dëmtonte reputacionin e tij’’, shtoi ai.

Qeveria italiane po i përmbahet projektbuxhetit pavarësisht faktit që Komisioni Europian e hodhi poshtë atë, në fund të tetorit .

Komisioni beson se planet për nivele të larta të borxhit të ri janë të papërputhshme me rregullat europiane të stabilitetit./ /os/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.