Qendra e fshatit piktoresk të Dukatit, kthim në identitet

TIRANË, 16 nëntor/ATSH/- Qendra e fshatit piktoresk të Dukatit, 30 kilometër larg qytetit të Vlorës, do të ndryshojë tërësisht duke i kthyer dinjitetin kësaj zone me kaq histori.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e godinës së “Shkollës së kuqe” në këtë fshat theksoi se “qeveria shqiptare ka nisur një projekt të madh për rehabilitimin e 100 fshatrave. Dukati nuk u përfshi në këtë listë, por nuk mungoi vëmendja e bashkisë së Vlorës dhe imja personalisht që qendrën e Dukatit ta kthejmë në ansamblin e një qendre për të gjithë historinë që kjo zonë përfaqëson”.

“Kemi filluar rikonstruksionin e godinës së “Shkollës së kuqe” aty ka qenë një nga kërkesat më të mëdha të këtij komuniteti për të pasur rehabilitimin e plotë të kësaj shkolle, të kësaj godine kaq shumë historike për ndjeshmërinë e banorëve të kësaj zone”, nënvizoi Leli.

Ai bëri të ditur se “firma ka filluar të bëjë realizimin e punimeve, rehabilitimin e çatisë, përforcimin e mureve, ndarjen e dy niveleve dhe pas takimit që kishim me njerëzit e komunitetit ata kërkuan që ky objekt të kthehet në një objekt social që t’u shërbejë të gjithë banorëve, një muze ose qendër për të moshuarit.

“Ne jemi duke taracimin e të gjithë hapësirave në këtë territor, ndërhyrjet janë me gurë duke respektuar strukturën edhe traditën e shtëpive të vjetra të kësaj zone dhe do të punojmë për prishjen e ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar këto 25 vitet e fundit në qendrën e fshatit, të bëjmë taracimin sipas terrenit për ta përshtatur të gjithë këtë investim në favor të turizmit”, nënvizoi Leli.

Sipas tij, ky projekt është pritur mirë nga banorët dhe rehabilitimi i shkollës ka një vlerë rreth 9 milionë lekë.

Kryebashkiaku Leli tha se “gjatë zbatimit të punimeve ne do të përpiqemi të gjejmë edhe fonde të tjera për të rritur cilësinë e këtij investimi të rëndësishëm, jemi duke parë mundësinë e financimit”.

“Ditën e djeshme arkitekti ka qenë tek “Shtëpia muze”, që është e vendosur në këtë territor për të parë mundësinë e financimit edhe të monopatit që lidh qendrën e fshatit me shtëpinë muze”, theksoi Leli.

Ai shtoi se sot jemi duke parë fillimin e punimeve që janë një vëmendje e shtuar e bashkisë së Vlorës për fshatin Dukat./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.