“Moti i madh”, hapet ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar

TIRANË,16 nëntor /ATSH/ Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu i Kosovës, pas suksesit të ekspozitës “Unë jam shqiptar” vijnë me bashkëpunimin e radhës me hapjen e ekspozitës “Moti i madh” në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, viti jubile për figurën e Heroit Kombëtar të shqiptarëve.
Kjo ekspozitë përmban statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.
Ekspozita paraqet dy letra të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilat tregojnë bashkëpunimin e Skënderbeut me mbretëritë europiane të kohës.
– Letër e Skënderbeut dërguar nga Kruja, më 8 gusht 1451 fisnikëve të Komunës së qytetit të Sienës (Itali).
– Letër e Skënderbeut dërguar nga Lezha, më 8 prill 1456, kardinalit të Fermos (Itali) Domenico Capranica-s.

/m.z/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.