Bastet, Rama: Sfidë bixhozi ilegal, duhet ndërhyrje në Kodin Penal

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/527530834380361/

TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ – I ftuar në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, Kryeministri Rama theksoi se që nga 1 janari i vitit 2019 do të mbyllen të gjitha pikat e basteve sportive dhe kazinove.

Duke u ndalur tek impaktet negative që kanë këto aktivitete në familje, Kryeministri Rama shprehu si nevojë përmirësimin e legjislacionit në Kodin Penal, duke sjellë si shembull rastin e ligjit francez, i cili parashikon një dënim deri në 3 vite.

“Kemi vendosur në territor të gjitha pikat dhe në çdo pjesë të territorit ka një ndarje në komisariate policie dhe çdo kuadrat ku komisariati ka zonën e vet të veprimit ka edhe impakt që konsiderohen në thonjëza, por jo dhe aq në thonjëza vende krimi, në këto vende është kryer një veprimtari që me ligjin e ri cilësohet si krim. Këtu, kjo nuk mund të vazhdojë të ndodhë, sepse ligji që nga 1 janari do t’i mbyllë të gjithë dhe kjo ka filluar. Do të kemi sfidën e bixhozit ilegal, nuk diskutohet, por nga ana tjetër legjislacioni duhet të plotësohet edhe me një ndërhyrje në Kodin Penal. Franca e ka me burg, nëse organizohet një sallon bastesh që nuk është pjesë e sistemit, sepse aty bastet janë monopol shtetëror, shkon 3 vjet në burg, në Francë dhe kjo nuk është diçka ekstreme. Këta njerëz që e kanë këtë sëmundje, sepse e tillë është dhe kam parë që ligji francez ka kapituj për të sëmurët, por ndalimi i ndihmon shumë që të dalin nga ajo, ama në periudhën e kurimit edhe një emision si ky, edhe të tjera që mund të bëjnë organizatat e ndryshme, janë të vlefshme”, – u shpreh Rama. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.