Axhenda e reformave europiane, miratimi i ligjeve rëndësi në liberalizimin e vizave

142

PRISHTINË, 16 nëntor /ATSH/ – Kryesuar nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është mbajtur sot takimi i radhës i Nivelit të Lartë të Sundimit të Rendit dhe Ligjit, takim në të cilin është paraqitur progresi i Kosovës në këtë fushë si dhe arritjet sa i përket pakos së ligjeve për Axhendën e Reformave Europiane.

Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë në përmbushjen e Axhendës së Reformave Europiane që dalin nga MSA, dhe vlerësoi se institucionet e Kosovës duhet të intensifikojnë përpjekjet për ta unifikuar axhendën për integrim.

Haradinaj tha se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen edhe me shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të aprovojnë ligjet që ndërlidhen me procesin e integrimit europian, pasi Kosova është në fazën finale të procesit të liberalizimit të vizave.

Në këtë takim, po ashtu është biseduar edhe për rastet e shënjestruara, dhe pakon e ligjeve që ndërlidhen me liberalizimin e vizave, kodin penal, konfiskimin e pasurisë, mbrojtjen e informatorëve, duke mos lënë anash edhe të arriturat sa i përket Axhendës së Reformave Europiane, për të cilat është thënë se janë shënuar rezultate, por kërkohet që edhe më tej të ketë dinamikë të shtuar.

Përfaqësuesit institucional ndërkaq, shprehën gatishmërinë dhe zotimet e tyre në përmbushjen e të gjitha obligimeve në këtë proces, sipas dinamikës së paraparë.

Të arriturat institucionale në këtë takim i paraqiti edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili vlerësoi se votimi i pakos së ligjeve në Kuvendin e Kosovës është jetik për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe e ngarkuara me Punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Colleen Hyland, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos dhe Shefja e Misionit të USAID-it Lisa Magno. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.