Unaza e Re/ Basha: Projekti duhet të ishte konsultuar me banorët

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/- Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se, projekti për ndërtimin e Unazës së Re të Tiranës, duhet të ishte konsultuar më parë me banorët e zonës dhe pas shpronësimit të plotë tyre, të niste zbatimi i tij.

I ftuar në një emision televiziv mbrëmjen e së enjtes, Basha tha se opozita do të qëndrojë në krahun e banorëve të Unazës së Re.

“Jemi kundër prishjes së banesa të këtyre banorëve që preken nga ky projekt, pa u shpronësuar dhe kompensuar më parë me vlerën e tregut. Janë 317 banesa që rrezikohen të prishen”, – tha ai.

“E zëmë se projekti është në rregull, problemi elementar është zbatimi dhe respektimi i ligjit për pronën. Kjo që po bëjnë këta është skenar i spastrimit etnik, këtë bënë serbët ndaj kosovarëve. Pra këtu bëhet fjalë për të drejta të patjetërsueshme të banorëve që është shkelur me të dyja këmbët nga organet që duhet t’i mbronin”, – deklaroi Basha.

Basha tha se, partnerët europian dështuan që të mbanin fjalën e dhënë për miratimin e 7 ligjeve të Reformës në Drejtësi, me konsensus.

“Është për të ardhur keq ajo që u tha aty, pasi dhe zotit Hahn dhe Mogherinit po iu mbaron mandati dhe në vendin tonë akoma nuk është ngritur as Gjykata Kushtetuese as ajo e Lartë. Pra që do të thotë se nuk mund të mbahet fryma pozitive vetëm me deklarata.”

Sipas tij, rasti “Lleshaj” nuk ka asnjë rëndësi nëse emërohet apo jo dhe se akti i Presidentit, të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Sa kohe Kryeministër është Edi Rama, nuk ka asnjë rëndësi kush është ministër. Krimi ka marrë në dorë kontrollin e qyteteve dhe të rrugëve. Lleshi është i parëndësishëm. Rendi është në kolaps kjo është çështja. Të gjithë ministrat e emëruar nga Rama janë të lidhur me krimin.” – theksoi Basha.

/e.xh/e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.