Shqipëri-Kinë, rritje e bashkëpunimit në fushën e sigurisë

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Policia shqiptare do të vazhdojë të garantojë sigurinë e kompanive kineze dhe personelit të tyre në Shqipëri, ndërsa shpreh nevojën e rritjes së nivelit të bashkëpunimit me palën kineze.

Kjo u konfirmua sot gjatë një takimi të ambasadores kineze në Shqipëri, Jiang Yu, me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Të dy palët shkëmbyen mendime mbi forcimin e sigurisë së kompanive dhe personelit kinez në Shqipëri dhe probleme të tjera.

Ambasadorja kineze Jiang Yu vuri në dukje se vitet e fundit, Kina dhe Shqipëria kanë pasur shkëmbime të shpeshta dhe të frytshme. “Nëpërmjet mekanizimit të këshillit të përbashkët dhe të njoftimit të informacioneve, Ambasada kineze dhe policia shqiptare kanë kryer me sukses misionet e garantimit të sigurisë gjatë vizitave të nivelit të lartë e organizimit të veprimtarive të mëdha dhe kanë mbrojtur sigurinë e kompanive kineze e të stafit të tyre, si dhe të vizitorëve kinezë gjatë sezonit turistik të sivjetshëm në Shqipëri”, vlerësoi ajo.

Lidhur me këtë, pala kineze shprehu falënderimin për përkrahjen e policisë shqiptare. Jiang tha se Kina dëshiron të forcojë shkëmbimet me policinë shqiptare, duke thelluar e zgjeruar fushat e bashkëpunimit dhe duke pasuruar përmbajtjen e kësaj marrëdhënieje, për të ofruar një garanci më të madhe për zhvillimin e gjithanshëm dhe të shpejtë të marrëdhënieve dypalësh.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare, Ardi Veliu, tha se vitet e fundit, bashkëpunimi në fushën policore midis Shqipërisë dhe Kinës ka arritur rezultate të dukshme, duke thelluar pandërprerë njohjen e ndërsjellë.

Veliu u shpreh për forcimin e kontakteve në nivele të ndryshme për të shkëmbyer përvojat dhe për të thelluar bashkëpunimin në fushat e kualifikimit, ngritjes së aftësisë ligjzbatuese dhe shërbimeve turistike etj./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.