Shkodër- 140 fëmijë të kopshtit “Ismet Sali Bruçaj” me kushte më të mira

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/- Rreth 140 fëmijë të kopshtit “Ismet Sali Bruçaj” në Shkodër kanë tashmë kushte më të mira, falë një investimi prej 30 milionë lekë të bashkisë.

Kopshti i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë në mjediset e jashtme dhe mjediset e brendshme. Investimi ka përmirësuar rrënjësisht ambientet pritëse dhe ato akomoduese, kuzhinën dhe fjetoret për fëmijët në këtë kopsht me drekë.

Njëkohësisht, është ndërhyrë edhe në rrjetin e kanalizimeve ku situata ka qenë problematike.

Ky kopsht ofron standarde optimale për 140 fëmijët që edukohen aty, duke qenë zgjedhje parësore nga prindërit shkodranë.

Me një pagesë shumë të përballueshme nga çdo familje, përveç edukimit fëmijët ushqehen tre vakte, pushojnë në kushte komode në drekë dhe marrin një përkujdesje prindërore nga stafi i kopshtit.

Kopshtet dhe çerdhet kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë një nga prioritetet e bashkisë Shkodër edhe për vitin që vjen e vitet në vijim, të bindur se është shërbimi më i mirë që po i bëjmë qytetit dhe qytetarëve për sot dhe për nesër. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.