Reforma e ujit, vit i suksesshëm në Vlorë

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/- Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë zhvilloi sot analizën e performancës në kuadër të njëvjetorit të fillimit të reformës së ujit.

Në analizë ishin të pranishmëm prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve, Dorian Xhelili, punonjës të kësaj ndërmarrje etj.

Prefekti Mamaj u shpreh i kënaqur nga puna e realizuar deri më tani në zbatim të reformës së ujit.

Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve, Xhelili raportoi në lidhje me rezultatet e arritura gjatë aksionit.

“Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka arritur rezultate të kënaqshme, ndërsa ka patur një angazhim të lartë nga të gjithë punonjësit tanë të angazhuar në aksionet e ndërmarra”, theksoi Xhelili.

Duke folur mbi indikatorët në kontratën e performancës, Xhelili tha se “ne kemi pasur 14 indikatorë dhe në 11 prej tyre i kemi tejkaluar këta tregues ose parashikimin e
kontratave të reja i kemi pasur si objektiv 97% ne kemi arritur 98%, kemi rritje të faturimit nga 94 në 95%, ndërsa për sa i përket rritjes së nivelit të arkëtimeve janë nga 83 në 84%”.

“Këta indikatorë kanë pësuar rritje edhe duke pasur parasysh vështirësitë që ne përballemi duke vlerësuar gjendjen në të cilën ndodhet ujësjellësi i Vlorës dhe një mori vështirësish që jan të trashëguara në vite apo kohë, për arsye të keqmenaxhimit”, tha ai.

Sipas tij, edhe numri i lidhjeve në matës nga 64% është arritur të realizohet në masën 65%.

Lidhja e kontratave të rregullta duke eliminuar lidhjet dytësore pa kontrata dhe ujëmatës, vendosja e ujëmatësve funksionalë e të kalibruar, shlyerja e të gjitha detyrimeve të prapambetura, ose lidhja e aktmarrëveshjeve për shlyerjen me këste, krijimi i një kulture të re marrëdhëniesh efektive, korrekte dhe transparente ndërmjet Ujësjellës-Kanalizime dhe konsumatorëve ishin objektivat kryesorë të këtij aksioni.

Po ashtu u lanë edhe detyra për periudhën në vazhdim në zbatim të reformës së ujit. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.