Koncesionet dhe PPP-të, investime publike tërësisht transparente

TIRANË, 15 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Koncensionet dhe Partneriteti Publik Privat janë investime publike tërësisht transparente në favor të qytetarëve”, deklaroi sot në Kuvend, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Ahmetaj tha se opozita po sulmon koncensionet dhe PPP-të, sepse këto janë asete, shërbime, rrugë dhe investime që bën kjo mazhorancë për interesin e qytetarëve.

“Një çështje që opozita e ka për qejf dhe e demonizon janë projektet e Partneritetit Publik Privat. Dua të sqaroj se PPP-të janë të gjitha transparente dhe projektet po ashtu”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj iu referua deklaratës së opozitës sipas së cilës janë mbi 2 miliardë euro për koncensionet dhe PPP-të që do të rëndojnë mbi qytetarët shqiptarë.

Duke konfirmuar se PPP-të bëhen për investime në interesin publik, Ahmetaj shtroi pyetjen se “përse opozita nuk do që qytetarët shqiptarë të kenë tani rrugët me standarde dhe të marrin shërbimet e nevojshme?”

Rruga e Arbrit që ka nisur me koncesion, sipas Ahmetajt kushton 243 milionë euro dhe është një aks i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për t’u ndërtuar tani dhe jo pas 20 viteve, kur mund të ishin kushtet e buxhetit për ta bërë.

“Buxheti me fondet e drejtpërdrejta nuk kishte mundësi ta bënte këtë rrugë tani ndaj qeveria hyn në PPP, një procedurë tërësisht transparente që bën të mundur që dibranët dhe gjithë zona që preket nga rruga të mos presin 20 vjet për rrugën. Çfarë problemi keni me dibranët që nuk doni që ata të kenë rrugën dinjitoze për të ardhur në Tiranë apo për t’u lidhur me Shkupin e Durrësin në aspektin tregtar?” – iu drejtua Ahmetaj opozitës.

E njëjta gjë, sipas tij, është edhe për rrugën Thumanë-Kashar, që është vazhdim i rrugës së Kombit, rrugës së Balldrenit, rrugës Vlorës-Himarë, bypass-it të Gjirokastrës, apo rrugës Tiranë-Durrës, që do të bëhet me toll.

Po ashtu, Ahmetaj pyet opozitën se përse sulmon koncesionet për check up-in apo për dializën, ndërkohë që përfituesit e drejtpërdrejtë të këtyre koncesioneve janë qytetarët shqiptarë.

“Çfarë keni me të sëmurët e dializës, pse doni t’i bëni që të vuajnë përtej vuajtjes që kanë? Dikur e merrnin shërbimin me 80 mijë lekë, ndërsa tani e kanë falas dhe pranë vendbanimeve të tyre. Përse nuk doni që spitalet të kenë mjete të sterilizuara? Përse nuk doni që qytetarët të bëjnë check up falas? Çfarë keni me shëndetin e qytetarëve që i keni vënë çmim jetës? Përse nuk doni të pastrohen plehrat e Tiranës?” – këto ishin vetëm disa nga pyetjet që ministri Ahmetaj i drejtoi opozitës nga salla e Kuvendit.

Ndërkohë, sipas tij, “kjo është opozita që mbështet koncesionet e pullave fiskale dhe të skanimit, duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm në Europë që bën skanimet me koncesion”.

“Skanim me koncesion bëri vetëm Shqipëria në gjithë BE-në dhe Europën. Kjo i kushton biznesit tani 22 milionë euro, ndërsa më parë i kushtonte 40 milionë euro, por i ulëm ne si qeveri. Po ashtu koncesioni i skanimit i kushton buxhetit të shtetit 19 milionë dollarë. Ndërsa sa i takon pullave fiskale, ka raste që janë më të shtrenjtë se akciza”, tha Ahmetaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.