Hapen zyrat e reja të Lagjes nr. 13 në Selitë, tashmë shërbimet më afër qytetarëve

TIRANE, 14 nëntor /ATSH/ – Banorët e lagjes që përfshin zonën jugore të Tiranës, Selitën, Kodrën e Diellit apo edhe Liqenin e Thatë, nuk u duhet të udhëtojnë më drejt Farkës apo Njësisë 5, për të pritur në radhët e gjata për të marrë një shërbim.

Tani shërbimet mund t’i marrin shumë më afër, në zyrat e reja të Lagjes 13, në afërsi të Selitës, ku do të gjejnë jo vetëm mjedise më të mira, por edhe një staf të ri dhe të kualifikuar. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i pranishëm në përurimin e zyrave të Lagjes nr. 13 dhe theksoi angazhimin e bashkisë për të ofruar shërbimet sa më pranë qytetarëve.

“Jam dyfish i gëzuar: së pari, si kryetar i bashkisë ka qenë ëndërr që të afronim shërbimin tek qytetarët dhe që ky shërbim të reflektonte realitetin e Tiranës sot. Që do të thotë: nëse Tirana është rritur përtej vijës së verdhë, tek Unaza e Re, Kodra e Diellit, Kopshti Zoologjik, Kopshti Botanik dhe Liqeni i Thatë dhe pjesa tjetër tek Fresku, midis Dajtit dhe Kinostudios, atëherë shërbimet tona duhet të reflektojnë këto realitete, ndaj fillojmë me promovimin e lagjes së parë. Njësia administrative 13 është këtu në rr. ‘Rrapo Hekali’”, theksoi Veliaj.

Ai tha se do të japë shembullin i pari, si përfitues i shërbimeve të zyrës më të re, duke bërë zhvendosjen e familjes së tij nga Njësia 2 në lagjen e re. “Do jem i pari që do përfitoj nga lagjja e re, do transferoj Ajolën, Kajanin dhe veten time këtu, për disa arsye: Së pari, se qendrën e votimit do ta kem këtu dhe nuk ka nevojë të transferohem në pjesën tjetër të Tiranës; së dyti, shërbimet do t’i marr këtu”, tha kryebashkiaku. Mandej, ai u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë mundësinë e krijuar nga Qeveria dhe Parlamenti për të transferuar vendbanimin në njësitë ku banojnë realisht, duke përfituar nga amnistia.

“Nuk ka nevojë të shkosh tek njësia e vjetër, transferimi ndodh automatikisht, pa asnjë gjobë. Është një mënyrë ideale për të pasur të gjithë shërbimet këtu, jo vetëm certifikatat, por duke nisur nga 1 janari, edhe shërbimin e pasaportës e kartës së identitetit, duke qenë se edhe kompania “Aleat” do i atashohet tre lagjeve të reja”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se është shumë e rëndësishme që çdo banor i Tiranës të regjistrohet në zonën ku ai jeton, për të bërë kështu edhe ndarjen e duhur të buxhetit për çdo zonë. “Më e rëndësishme është se në vitin 2019 do të reflektojmë buxhet për këto njësi të reja, çka na mundëson që me të njëjtën cilësi që punojmë në sheshin “Skënderbej”, të punojmë edhe tek tre Njësitë e reja. Po ashtu, edhe për shërbime siç lejet për ndërhyrje të brendshme, qytetarët do të kenë mundësi t’i marrin këtu”, u shpreh ai.

Afrimin e zyrave të shërbimit pranë qytetarëve e vlerësoi edhe ministri i Diasporës, njëherësh deputet i PS, Pandeli Majko. Ai risolli në vëmendje investimet e rëndësishme të bashkisë në këtë zonë. “Po fillojmë rikonsiderimin dhe rikonstruksionin e komuniteteve. Kjo që sot shikohet këtu si Lagja nr. 13, nesër mund të jetë një njësi e re administrative, edhe si pasojë e atij investimi të madh të kryer nga bashkia. Fillimisht, u rindërtuan rrugët, ishin rrugë fshati, ka ardhur autobusi atje ku nuk mendohej, dhe sot mund të flasim për një njësi të re administrative, e cila i bashkohet natyrshëm qytetit të Tiranës, pasi kjo zonë, sidomos zona e Selitës, ka qenë një fshat me një distancë shumë të afërt me qendrën”, tha Majko. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.