FOKUS – May kërkon të bindë kabinetin e saj për projektmarrëveshjen për Brexit

LONDËR, 14 nëntor /ATSH-AFP/ – Kryeministrja britanike, Theresa May do të përpiqet sot të bindë ministrat e saj për të tejkaluar ndasitë për Brexit për miratimin e projektmarrëveshjes së arritur një ditë më parë nga negociatorët europianë dhe ata britanikë.

Garancia e qeverisë është e nevojshme për të mundësuar organizimin e një samiti të jashtëzakonshëm me liderët europianë për të bërë të vlefshme marrëveshjen.

Kjo e fundit më pas do të ratifikohet nga parlamentarët britanikë dhe europianë përpara datës së shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, më 29 mars 2019.

Me anë të një komunikate për shtyp qeveria njoftoi se kabineti do të mblidhet rreth orës 14:00 GMT për të studiuar projektmarrëveshjen dhe vendosur për fazat e ardhshme.

Pasiguria mbizotëron në lidhje me qëndrimin që do të mbajnë ministrat më euroskeptikë, përfshirë Dominic Raab, i ngarkuar për Brexit, apo Penny Mordaunt, sekretare e Shtetit për Zhvillimin Ndërkombëtar.

Javën e kaluar, sekretari i Shtetit për Transportet, Jo Johnson, u largua nga qeveria pas një mosmarrëveshje, duke e cilësuar se marrëveshja në proces finalizimi ishte ‘’një gabim i tmerrshëm’’.

Nga ana e tyre, ambasadorët e 27 shteteve të BE-së do të takohen sot pasdite në Bruksel, sipas dy burimeve diplomatike.

Televizioni irlandez RTE njoftoi një takim të qeverisë irlandeze që do të zhvillohet sot./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.