BRUKSEL – PE-ja refuzon të diskutojë çështjen Kacifas

BRUKSEL, 14 nëntor /ATSH/ – Dështon nisma e eurodeputetëve grekë në Parlamentin Europian për debat lidhur me situatën e minoritetit grek në Shqipëri, ku shumica e eurodeputetëve votuan kundër rezolutës për vrasjen nga policia shqiptare të minoritarit grek Kacifas, njofton “Deutsche Welle”.

Nisma e tre eurodeputetëve grekë të grupit konservator dhe reformist në Parlamentin Europian (PE) për të debatuar lidhur me situatën e minoritetit grek në Shqipëri dhe për të nxjerrë një rezolutë, nuk u realizua.

PE-ja e refuzoi këtë në seancën plenarë të ditës së martë, (13.11.2018), ku 278 eurodeputetë votuan kundër dhe vetëm 48 pro. Nga grupi prej 21 europarlamentarësh grekë vetëm tre prej tyre mbështetën nismën e sipër përmendur.

Nisma e tre eurodeputetëve grekë, mes të cilëve edhe qipriotja Eleni Theocharous, u nxit nga reagimi i qeverisë së Tiranës ndaj ekstremizimit dhe gjuhës së urrejtjes të përdorur nga pjesëmarrësit në varrimin e minoritarit grek Kacifas, që erdhën nga  Greqia.

Kostandin Kacifas, me dy nënshtetësi, atë shqiptare dhe greke, humbi jetën gjatë shkëmbimit  të zjarrit me forcat speciale të policisë, RENEA, 2 javë më parë, në fshatin e tij Bularat, në rrethin e Gjirokastrës.

Në varrimin e Kacifasit erdhën qindra grekë, nga të cilët 52 u shpallën “persona non grata” nga qeveria e Tiranës.

Shkak për këtë u bënë thirrjet e tyre ekstremiste për bashkimin me Greqinë me të ashtuquajturin prej qarqeve ekstremiste greke, “Vorio Epir” ku ndodhet edhe fshati Bularat, i banuar nga minoriteti grek. Ndër personat ”non grata” që u ndalohet hyrja në Shqipëri është edhe eurodeputetja Eleni Theocharous. /G.S/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.