3 miliardë lekë buxheti 2019-s, për sektorin energjetik

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/- Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u shpreh sot se, buxheti që kemi parashikuar për sektorin energjetik gjatë vitit 2019, është në vlerën e 3 miliardë lekëve.

“Energjia është një sektor me risk (që kushtëzohet më së shumti nga faktorët klimaterikë) dhe së bashku me Bankën Botërore jemi duke riparë të gjithë programin e përmirësimit të sektorit të energjisë, duke bërë një balancim të rezervës në thatësirë dhe investimeve”, tha Ahmetaj në Komisionin e Ekonomisë gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2019.

Ministri shpjegoi se, risku i thatësirës është aty, ndaj buxheti i ka lënë një përgjegjësi më të madhe vetë sektorit për të paraprirë risqet e thatësirës dhe gjatë periudhës së shirave dhe mbushjes së rezervuarëve të menaxhojë situatën, me përparësi furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike.

“Sektori energjetik ka një përmirësim të dukshëm në raport me vitet 2013 dhe 2014, janë reduktuar humbjet teknike dhe jo teknike në 26% dhe është përmirësuar raporti i të ardhurave dhe ky sektor nga një gjenerator problemesh, është kthyer në një gjenerator të rritjes ekonomike”, deklaroi ministri i Financave dhe Ekonomisë. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.