Zero TVSH për inputet bujqësore, përfitim direkt për fermerët

TIRANË, 13 nëntor/ATSH-Maela Marini/ TVSH-ja për inputet bujqësore do të zerohet, duke sjellë një përfitim konkret për të gjithë fermerët në vend.

Për herë të parë pas 28 vitesh shteti shqiptar bën një mbështetje horizontale për të gjithë fshatin dhe çdo fermer aktiv kudo në Shqipëri që punon tokën, do të ketë zero TVSH për inputet.

Lajmin e bëri të ditur sot i ftuar në një studio televizive Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “po bëhemi gati për të realizuar një tjetër zotim, që ka qenë i pamundur deri tani”.

“Ne jemi në një situatë shumë pozitive nga pikëpamja financiare dhe do të zerojmë TVSH-në për të gjitha inputet, për të gjithë fermerët. Ky është lajmi më i rëndësishëm për qindra-mijëra njerëz që do të lehtësohen nga TVSH-ja mbi inputet bujqësore, që do të jetë zero”, – tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri iu përgjigj edhe interesit lidhur me taksimin e pagave, duke theksuar se “çdo gjë do të mbetet siç është dhe qeveria do të bëjë një relaksim në pjesën e sipërme të pagave për shtresën e mesme”. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.