Unaza e Madhe në Tiranë e domosdoshme, banorët do të shpronësohen

TIRANË, 13 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Unaza e Madhe në Tiranë është një vepër e domosdoshme që do të ndërtohet, ndërsa banorët do të shpronësohen sipas ligjit”.

Duke komentuar protestën e disa banorëve në zonën e Astirit për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, Kryeministri Edi Rama tha se “kudo ku prevalon interesi publik, për ata që kanë pronë të ligjshme ka shpronësim sipas ligjit”.

“Në vitin 2018 akoma diskutohet në Tiranë se mund të imponohesh me forcë kundër interesit publik, kundër ligjit dhe kundër të ardhmes të qytetit. Kjo është e tepërt ta diskutojmë. Në Tiranë janë bërë prishje pa fund në gjithë këto vite, ndryshe nuk do të kishte transformim”, – tha Rama.

Ligjet janë shumë të qarta, tha Rama, duke shtuar se “për ata që e kanë pronën të ligjshme ka shpronësim sipas ligjit, ndërsa për ata që nuk e kanë sipas ligjit, ka një kompensim dhe nuk hidhen në rrugë”.

“Atyre u jepen nga paratë e taksapaguesve, edhe pse ata kanë zaptuar territorin, një bonus qiraje për 3 vjet, deri sa të gjejnë një akomodim. Shtëpia që u prishet është pa leje, në pronën e përbashkët dhe në atë pronë do të bëhet rruga për 1 milion banorët e Tiranës”, – tha Rama.

Lidhur me protestën, Kryeministri u shpreh se “është një ushtrim force i kotë dhe i nxitur nga opozita, që nuk ka asnjë shpresë, vizion apo rrugë, dhe aty ku të gjejë njerëz të dëshpëruar i përdor si mish për top”.

“Mos u përdorni nga këta Kadrinj të opozitës që nuk kanë asnjë të ardhme. Sipas ligjit do të merrni kompensimin që ju takon dhe do të bëjmë rrugën që u takon të gjithëve”, – iu drejtua Rama, banorëve të Astirit./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.