Soreca: Ministri e Brendshme funksionale për vijimin e luftës kundër krimit

135

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ – Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca u shpreh se Europa e mirëpret faktin që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioriteti kryesor i Shqipërisë në rrugën e saj për në BE, në një intervistë të dhënë për European Western Balkans gjatë Forumit të Katërt të Ndërlidhjes në Tiranë.

“Procesi i Berlinit ka qenë thelbësor në zgjerimin e ndërlidhjes të transportit, energjisë, tregtisë, por më e rëndësishmja është ndërlidhja e njerëzve, në veçanti e të rinjve”, deklaroi Soreca në këtë intervistë, i pyetur për kontributin e Porcesit të Berlinit në zhvillimin infrastrukturor.

Përsa i përket Reformës në Drejtësi, Soreka shprehet se “ajo është një reformë shumë komplekse. Ka ndryshuar gati një të tretën e kushtetutës së Shqipërisë (…) për pasojë duhet pasur durim, në mënyrë që të lejohen autoritetet e pavarura që janë Vetingu, magjistratët, të bëjnë punën e tyre. Ne jemi angazhuar plotësisht që të ndihmojmë dhe mbështesim institucionet e Shqipërisë”.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një prej prioriteteve kryesore të Shqipërisë në rrugën e saj për në BE. Në javët dhe muajt e fundit, Ministria e Brendshme shqiptare dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar një seri operacionesh kundër krimit të organizuar”, deklaroi ai, duke iu referuar arrestimeve të bujshme të kohëve të fundit.

“Ne e mirëpresim këtë, kjo është ajo që BE-ja dhe shtetet anëtare presin nga Shqipëria dhe kjo duhet të vazhdohet. Dhe për më tepër, një ministër i Brendshëm me funksione të plota që do të vazhdonte luftën kundër krimit të organizuar është thelbësor për të garantuar që Shqipëria të qëndrojë në kursin e rrugës së saj për në BE”, theksoi ambasadori i BE-së në Shqipëri në përfundim të kësaj interviste./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.