Përrenjas, Balla: Opozita të vijë në Kuvend, të miratojmë statusin e minatorit

107

TIRANË,13 nëntor /ATSH- I. Vata/ – “Opozita të vijë në Kuvend të miratojmë statusin e minatorit, naftëtarit dhe metalurgut”, – ka deklaruar deputeti i PS-së për Librazhdin, Taulant Balla, ndërsa mori pjesë sot në fushatën e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste në Përrenjas.

Në fjalën e tij, Balla tha se aksioni kombëtar “Partia Socialiste e hapur për Ty” ka ndër synimet e veta kryesore afrimin e personave me reputacion publik, të angazhuar në nisma komunitare, profesionistë të spikatur.

Më tej, deputeti i PS-së Balla shtoi se “fushata e anëtarësimeve të reja në PS vijoi me shumë të rinj e të reja, burra dhe gra të profesioneve të ndryshme në qytetin e Përrenjasit. Së bashku me deputetin Nuri Belba i uruam mirëseardhjen anëtarëve më të rinj të Partisë Socialiste duke kërkuar prej tyre angazhim, ide dhe motivim për ta bërë më të mirë Përrenjasin dhe Shqipërinë”.

“Duke u ndalur tek investimet, dua të theksoj se bashkia e Përrenjasit është një ndër përfitueset më të mëdha të investimeve për numër banorësh, në krahasim me 7 bashkitë e qarkut të Elbasanit, në këto vite kur qeveria drejtohet nga Edi Rama. Tashmë ne jemi duke diskutuar buxhetin e shtetit për vitin 2019 dhe për bashkinë Përrenjas për vitin e ardhshëm do të kemi shumë investime të parashikuara. Ne do të miratojmë më datë 3 dhjetor buxhetin e shtetit nga i cili, e ripërsëris, presim shumë investime edhe për bashkinë Përrenjas, pavarësisht se kjo bashki drejtohet nga opozita, në asnjë moment nuk është parë e diferencuar, përkundrazi është parë e favorizuar nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama”, – tha Balla.

Balla theksoi se opozita duhet të vijë në Kuvend të diskutojë për statusin e minatorit.

“Meqenëse opozitës ne i kemi dhënë mundësinë të drejtojë bashkinë e Përrenjasit, prej këtu do t’i kërkoja të vijë në Kuvendin e Shqipërisë dhe të diskutojë, jo ta votojë, por të vijë e të diskutojë. 50 % e popullit të bashkisë Përrenjas ka votuar për opozitën aktuale në Kuvendin e Shqipërisë. Detyra e çdo deputeti është të jetë në sallën e Kuvendit; të jetë aty; të diskutojë për statusin e minatorit; për statusin e naftëtarit; për rritjen e pensioneve”, – theksoi ai.

Po ashtu, Balla pohon se pensionistët do të marrin shpërblimin e Vitit të Ri më të rritur se viti që lamë pas.

“Me këtë rast dua t’i garantoj të gjithë pensionistët se menjëherë në fillim të dhjetorit do të fillojë të shpërndahet shpërblimi për Vitin e Ri, që këtë vit është më i rritur sesa vitin e kaluar”, – tha Balla.

Gjithashtu Balla premtoi miratimin e statusit të minatorit, statusit të naftëtarit, statusin e metalurgut.

“Ndërkohë, në Kuvend presim nga Qeveria një projektligj integral të tre statuseve; statusi i minatorit, statusi i naftëtarit, statusin e metalurgut. Ky është një angazhim i marrë përsipër që do të çohet deri në fund. Pra, për këto është deputeti në Kuvend, për të diskutuar ligje, jo për të ndenjur nëpër hotele. Kemi 3 muaj, nuk dimë ende arsyen pse opozita nuk është në Parlament”, – theksoi ai. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.