Parandalimi i përmbytjeve – Bashkia e Fierit forcon argjinaturat e urave

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/- Bashkia e Fierit po punon intensivisht për ngritjen e bordurës së urës në shkarkuesin e Çervenës, si dhe në urën mbi kanalin e Martinës.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, tha sot se “vazhdojmë në urën mbi kanalin e Martinës dhe në forcimin e argjinaturës në Çerven. Orë të gjata pune dhe angazhim i plotë për të kthyer në favorin tonë dhe të qytetarëve, çdo mundësi që na jep moti i mirë dhe koha fizike”.

Sipas tij, po punohet maksimalisht për të evituar çdo rrezik përmbytjeje në ditët me reshje intensive të dimrit që po afron.

Po ashtu, bashkia e Fierit prej shumë kohësh po punon për pastrimin e kanaleve kulluese. Në këtë mënyrë sigurohet që fermerët të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve që bien në stinën e dimrit.

Po ashtu hapja e rrugëve të parcelave është një tjetër element që ecën paralel me sistemin e kullimit dhe vaditjes, në shërbim të fermerëve, prodhimit bujqësor dhe lehtësisë sipërmarrëse. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.