Funksionimi i KLSH-së, në përputhje me standardet ndërkombëtare

168

TIRANË,13 nëntor /ATSH- I. Vata/ – “Miratimi i ligjit të ri të KLSH-së në nëntor të vitit 2014, e solli veprimtarinë e KLSH-së në përputhje me standardet e INTOSAI-t”, ka deklaruar kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj gjatë një vizite zyrtare në Kroaci.

Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, së bashku me drejtues të lartë, zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Kroaci me ftesë të Auditorit të Përgjithshëm të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, Ivan Klesiç, me rastin e përfundimit të mandatit 7-vjeçar të tij në krye të KLSH-së.

Takimi i mirëseardhjes u zhvillua në zyrat qendrore të SAI-t kroat dhe më pas u zhvillua një takim i zgjeruar me drejtues dhe auditues të SAI-t të Kroacisë.

Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, Ivan Klesiç bëri një prezantim lidhur me mënyrën e organizimit dhe të funksionit të SAI-t kroat.

Kjo zyrë ka qendrën në Zagreb dhe ka 20 degë të shpërndara në rajonet kryesore të vendit. Zyra drejtohet nga Auditori i Përgjithshëm, i cili zgjidhet nga Parlamenti i Kroacisë dhe propozohet nga komisioni për çështjet administrative, të zgjedhjeve dhe emërimeve.

Më tej, Klesiç vijoi prezantimin e tij me mënyrën e raportimit të SAI-t në parlament, politikat e burimeve njerëzore, të komunikimit dhe transparencës, etj.

Më pas, kryetari i KLSH-së zhvilloi një leksion me drejtues dhe auditues të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë.

“Kallëzimet penale nuk kanë qenë qëllim në vetvete për KLSH-në, por i kanë shërbyer luftës kundër korrupsionit. Që nga viti 2012 deri tani, KLSH ka bërë 299 kallëzime penale, që do të thotë një kallëzim penal në javë”, tha ai.

Gjithashtu, Kryetari i KLSH-së vlerësoi implementimin e projektit të binjakëzimit nga pala kroate dhe polake dhe u fokusua në komponentët dhe misionet e zhvilluara nga ekspertët kroatë, auditimet e performancës dhe kontrollin e cilësisë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.