FOTO/ Krijimtaria e Lumo Skëndos, ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare

TIRANË,13 nëntor /ATSH/ – Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e kthimit në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare, Mid’hat Frashëri, në kuadër të javës përkujtimore në 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit, çeli sot një ekspozitë që përmbledh veprimtarinë dhe botimet e çmuara të Lumo Skëndos (pseudonimi letrar i Mid’hat Frashërit), nga shkrimi i tij i parë në revistën më të rëndësishme të botës shqiptare “Albania” në vitin 1897, apo në revistën “La Nazione Albanese” më 1900, por edhe revistat e gazetat që ai drejtoi e themeloi si “Lirija”, “Kalendari kombiar” apo “Dituria”, deri në botimet më të fundit të veprës së tij.

Në arkivën e Bibliotekës Kombëtare ruhen botimet e tij të para si “Naim be Frashëri” (Sofje, 1901); “Dhetregonjë: librë për në shkollë” (Sofje, 1902); “Naim Beg Frashëri: (traduzione dall’albanese)” (Catanzaro, 1903); “Këndime për shkollat e para” (Selanik, 1910); “Këndime: për reshtatë filltare” (Selanik, 1910); “Këndime: për skolat e para” (Selanik, 1910);  “Këndime: pas programit të mësonjëtorevet të para” (Stamboll, 1912); “Hi dhe shpuzë: frymëzime, novela, kujtime” (1915); “L’ Affaire de l’Epire: le martyre d’un puple” (Sofie, 1915); “Letra mi një udhëtim në Svicrë” (1915); “Pour l’Albanie” (Lausanne, 1919); “Albanais et sllaves” (Lausanne, 1919); “Le Mouvement anti-italien en Albanie” (1920); “L’ Albanie: le petrole albanias – le budget 1921-1922 – commerce de tabacs” nga Léon Husson, G. Recoing dhe Mid’hat Frashëri (me pseudonimin Adriatiku); “Albania: zece ani de istoria albanezâ” (1921);  “Le Différend albano-serbe” (Constanza, 1921); “Albanie: panorama politique” (Paris, 1922); “Plagët tona: çë na mungon?: çë duhet të kemi”  (1924); “Gruaja: librë për gratë dhe për burratë: dedikuarë trupit arsimor Shqiptar” (1928).

Krahas tyre, për këtë ekspozitë janë përzgjedhur edhe shqipërimet si: metodat e F. Ahn për mësimin e gjuhëve të huaja anglisht dhe frëngjisht botuar në Bukuresht dhe Sofje më 1902 dhe 1908; shqipërimi i “Robinsoni” i Daniel Defoes botuar në Selanik më 1910; “Bëje të mirën pa hidhe në det: prallë për djemtë” i Franc Hofman (Sofje, 1910); “Shkurtabiq’ i verdhë. Miu i vockël. Sorkadhe e bardhë” nga Marie Catherine d’Aulnoy (Sofje, 1913) apo shqipërimi i “Gyjom Telli” të Alphonse De Lamartine botuar më 1898; “Historia e Shqiptarëvet t’Italisë” i Petro Scaglione (1921); “Psikologji e edukatës” i Gustave Le Bon (1923). Një vend të rëndësishëm zë edhe botimi i “Fjalori i Marko Boçarit: le lexique de Marc Botzari” me parathënie në shqip dhe frëngjisht nga Mid’hat Frashëri, botuar në vitin 1926.

Nuk mungojnë edhe ribotimet pas viteve ’90 si “Hi dhe shpuzë: proza poetike, novela, kujtime” (1995); “Vepra: Naim Frashëri. Hi dhe shpuzë. Plagët tona” (Prishtinë, 1996); “Naim Frashëri: jetëshkrim” (1996); “Pjesë të zgjedhura nga vepra” (1997); “Shqiptarë dhe sllavë” (1998); “Çështja e Epirit: triptik essesh: përkthim” (1998);  “Mbresa udhëtimesh: 1911-1921: Shkup, Kosovë, Sofje, Zvicër, Paris” (1999); “Fati i Shqipërisë” (1999); “Letërkëmbime” (2000); “Diturija” (1999); “Udhëtarët e huaj në Shqipëri gjer në fund të shekullit XIX” (1999); “Plagët tona: ç’ë na mungon? Ç’ë duhet të kemi? (1999); “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë” (2005); “Or’ e fundit: proza letrare dhe dokumentare” (2007); “Plagët tona: çë na mungon? çë duhet të kemi?” (2008); “Foleja kombëtare: dramë historike me katër akte” (2008); “Elita shqiptare: një studim mbi veprimtaritë kryesore të Mid’hat Frashërit (Lumo Skendo) dhe pjesë të zgjedhura nga vepra e tij” (2008); “Fati i Shqipërisë: esse të zgjedhura” (2009); “Bibliographie albanaise: [description raisonnée des ouvrages publiès en Albanais ou relatifs a l’Albanie du quinzième siècle a l’année 1900]” i Emile Legrand, plotësuar nga Mid’hat Frashëri dhe Henri Gûys (2011); “Udhëtarët e huaj në Shqipëri gjer në fund të shekullit XIX” (2012); “Çështja çame” (2013); “Kritika” (2016); “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë” (2016); “Vepra të zgjedhura (2017) dhe botimin anastatik të revistës “Dituria” (2018), përgatitur nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët në hollin e Bibliotekës Kombëtare. 

/a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.