Formalizimi tregut të punës, ulen shpenzimet buxhetore

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/- Niveli i shpenzimeve për skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2019, i rëndon më pak buxhetit të shtetit se në vitin 2013, ku transferta buxhetore zinte 46,2% të tolit të shpenzimeve ndërsa sot 35,6% të totali.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha sot në komisionin e Ekonomisë se, kjo ka ardhur si pasojë e dy faktorëve kryesorë; ulja e informalitetit në tregun e punës dhe rritja e punësimit dhe kontribuesve, (ku numri mesatar i kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore parashikohet të jetë 8900 persona, me një rritje në 7,3% më shumë seç ishte në vitin 2018).

Ministri shpjegoi se, shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 179.98 miliardë lekë.

Niveli i shpenzimeve për skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2019, parashikohet në masën 130.63 miliardë lekë ose 7,5% e PBB, raport ky i njëjtë me vitin 2018.

Nga ky fond, për rritjen e pensioneve është parashikuar niveli prej 2.45 miliardë lekë.

Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurime të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2019 janë parashikuar në masën 41.9 miliardë lekë ose 2,4% e PBB nga 40.4 miliardë lekë të parashikuara në vitin 2018.

Ahmetaj theksoi se, shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të Pronarëve, parashikohen në total në masën 5 miliardë lekë ose 0.3% e PBB. Rritja e fondeve bëhet në kuadër të reformave që ka ndërmarrë qeveria për kompensimine ish-pronarëve brenda periudhës 10-vjecare, tha ministri.

Ahmetaj shpjegoi se, shpenzime të tjera sociale, përfshin fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve. Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 500 milionë lekë. Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 20.5 miliardë lekë, në të njëjtin nivel si vitin e kaluar. Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë ose 0,1% e PBB. Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë ose 0,1% e PBB. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.