Bujqësia, mbështetja më e madhe historike në vitin 2019

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/- Sektori i bujqësisë do të marrë gjatë vitit 2019 mbështetjen financiare më të madhe historike.

Kështu u shpreh sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi gjatë një takimi me fermerë dhe përfaqësues të këtij sektori në Ibë të Tiranës, ku prezantoi buxhetin 2019.

“Jemi në një nga pikat pioniere të agroturizmit, që po kthehet në trend të biznesit rural”, – tha Peleshi, ndërsa shtoi se financimi që i adresohet bujqësisë vitin që vjen, rrit përgjegjësinë e institucioneve për të kontribuar në thithjen e financimeve.

Janë 94 milionë euro nga programi IPARD dhe mbi 20 milionë euro nga buxheti i shtetit që financojnë të gjithë sektorin e bujqësisë, me qëllim rritjen e prodhimit bujqësor dhe konkurrueshmërinë e tij.

“Bujqësia jep sot 20 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe 10 % e prodhimeve bujqësore shqiptare “Made in Albania” shkojnë për eksport dhe 66 % e këtyre prodhimeve shkojnë në tregjete BE-së”, – tha Peleshi.

“Ne synojmë, vijoi ai, rritjen e kooperimit mes fermerëve dhe zgjerimin e bujqësisë komerciale me qëllim zgjerimin e hartës së eksporteve shqiptare dhe konkurrueshmërinë e prodhimeve “Made in Albania”.

Ne mbështesim rritjen e prodhimit të 15 kulturave bujqësore dhe po orientojmë fermerët në këto produkte që janë edhe më të kërkuarat në tregjet e huaja. Ndërsa synojmë të orientojmë shqiptarët që fshatin ta bëjnë zgjedhje të jetës së tyre, si alternativë që siguron rritje të të ardhurave dhe diversifikim të zhvillimit rural sipas modeleve bashkëkohore”, – theksoi ai.

Fermerët aplikojnë me 0 dokumente në skemat e financimit. Shtohen 20 agropika ku fermerët aplikojnë për financim 

Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë të rrisë lehtësirat për mbështetjen e fermerëve në aplikimin për financim dhe në këtë kuadër, tha ministri Peleshi, gjatë vitit 2019 do të shtojmë në 20 numrin e agropikave nga 5 që janë aktualisht.

“Do të vazhdojmë të rrisim transparencën dhe ulim burokracitë. Fermerët do të aplikojnë me 0 dokumente për të përfituar nga skemat e mbështetjes 2019, ndërsa do të shtohen sportelet agropika në ndihmë të fermerit”, – tha Peleshi.

IPARD do të financojë tre drejtime kryesore, investimin në fermë, përpunim të produkteve bujqësore dhe diversifikimin rural, shpjegoi Peleshi. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.