519.4 miliardë lekë shpenzime publike në buxhetin 2019

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ – Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj tha sot se, totali i shpenzimeve publike në projektbuxhetin e vitin 2019, është planifikuar në vlerën e 519.4 miliardë lekë ose 29,6 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Duam që të projektojmë një rritje pagash në shëndetësi, rritje kjo prej 7 %. Gjithashtu në rritje prej 7% planifikohet edhe në arsim. Ndërsa mbrojtja do të përfitojë një rritje nga 10-19% dhe një rritje prej 20% për diplomatët”, – tha Ahmetaj.

Krahas kësaj, tha ministri, në totalin e shpenzimeve planifikohet kostoja e Reformës në Drejtësi, për akomodimin e pagave të reja të institucioneve aktuale të sistemit të drejtësisë si dhe, akomodimi i institucioneve të reja të krijuara për mbështetjen e kësaj reforme.

“Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar  në masën 80.6 miliardë lekë ose 4,6 % e PBB”, – tha Ahmetaj.

Ministri shpejgoi se, shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 41.7 miliardë lekë ose 2,4 % të PBB, për të përballuar një rritje të mundshme të normave të interesit nga 1 pikë përqindje në 2 pikë përqindje.

Kreu i Financave theksoi se, për rritjen e performancës së shërbimit që ofron arsimi parashkollor, fondet për pagat e edukatoreve do të rriten me 9,1% në raport me 2018 dhe ndarja e fondeve për çdo bashki, do bëhet me një formulë që mbështetet kryesisht në numrin e nxënësve (fëmijëve 3-6 vjeç) përfitues. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.