Rama i përgjigjet Metës: Lleshaj ka kërkuar të çdekretohet si Gjeneral

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama publikoi sot një shkresë, ku i kthente përgjigje pyetjeve të Presidentit Ilir Meta lidhur me dekretimin e Sandër Lleshaj ministër i Brendshëm.

“Duke qenë se Presidenti ka publikuar shkresën me pyetjen e tij të ndarë në plot 14 pyetje, ja edhe shkresa ime lidhur me pyetjen e Tij. Bashkëlidhur ka dhe një kërkesë të gjeneral Sandër Lleshit për Presidentin, e cila e shterron fare këtë vorbull të panevojshme”, – thekson Rama.

“Pasi u njoha me shkresën tuaj drejtuar ministres së Mbrojtjes, nuk Ju’a fsheh dot se u ndjeva i keqardhur, për faktin që nëse Ju do t’i kishit shtruar qysh në krye të herës, pyetjet që ajo shkresë përmban lidhur me statusin e gjeneral Sandër Lleshajt, me siguri s’do ta kishim përjetuar krisjen e “herës së parë”, në procesin e dekretimit të ministrit të Brendshëm. E them këtë, sepse jo vetëm Ju do të kishit marrë përgjigjen shteruese që jep, besoj unë, shkresa e ministres për Ju, po përtej çdo interpretimi të mundshëm për dekretimin si ministër të statusit të gjeneral Lleshajt, pas diskutim do të kishim gjetur në rast interpretimesh të ndryshme, zgjidhjen e thjeshtë që po Ju prezantoj sot”, deklaron Kreu i Ekzekutivit në shkresën drejtuar Presidentit.

Gjithashtu, bashkëngjitur shprehet Rama, Ju keni kërkesën e zëvendësministrit Sandër Lleshaj për ta çdekretuar si gjeneral aktiv, në rast se ndryshe nga ne që mendojmë se ky nuk është rasti, Ju të mendoni se statusi i tij aktual është ai i gjeneralit aktiv.

“Ekspertët tanë mbrojnë gjithashtu bindjen se edhe nëse ky do të ishte rasti,  pra edhe nëse gjeneral Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në çdo detyrë çdekretimi i tij si i tillë nga Presidenti i Republikës do të duhej bërë pas miratimit nga Kuvendi të dekretit Tuaj për të si ministër. Por, siç na mëson eksperienca jonë; e Juaja dhe imja e kam fjalën, që fatmirësisht nuk jemi juristë; kurdoherë e kudo që ka një rast të tillë, ka gjithnjë juristë me opinione të ndryshme. Kështu që, është e tëra Juaja zgjedhja e opinionit tonë të shprehur në përgjigjen e ministres apo e një opinioni të ndryshëm nga i yni dhe, në rast se ky i fundit do të jetë rasti, Ju mund ta çdekretoni Sandër Lleshajn si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar Jush) e pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm (bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë)”, nënvizon Kryeministri Rama.

“Duke Ju falënderuar paraprakisht për angazhimin Tuaj në zgjidhjen e këtij ngërçi që siç thashë më lart mund të ishte evituar, si edhe duke Ju sqaruar, bazuar në shqetësimin e përcjellë tek unë përmes ministres së Mbrojtjes, se adresimi im si gjeneral kur i referohem ministrit të ri të Brendshëm, ka të bëjë me titullin që mbetet pas gradës në karrierën e shkëlqyer të dikujt, pranoni zoti President shprehjen e konsideratës sime më të lartë për institucionin Tuaj”, përfundon letra e Kryeministrit për Presidentin.

Lleshaj – Metës: Prej vitit 2013 nuk jam ushtarak aktiv

Gjithashtu, Kryeministri Edi Rama ka publikuar letrën e zv.ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, drejtuar presidentit Ilir Meta.

Duke publikuar shkresën e plotë të z. Lleshaj, Rama thekson se “tani Presidenti është i lirë të zgjedhë interpretimin që do dhe në njërën rrugë a tjetrën, ta mbyllë procesin me dekretimin e ministrit të brendshëm, siç i’a kërkon Kushtetuta e Shqipërisë“.

Në letrën drejtuar Metës, Lleshaj saktëson se ai nuk mban statusin e ushtarakut prej vitit 2013, kur u lirua nga detyra e zv/shefit të Shtabit të Ushtrisë.

“Me devotshmëri dhe përgjegjësi ligjore, e qytetare pranova propozimin e Kryeministrit për të mbajtur detyrën e ministrit të Brendshëm, me të gjitha vështërsitë dhe angazhimin professional që mbart ky funksion, sidomos në këtë moment historik. Me pranimin e këtij propozimi, i cili lidhet në mënyrë të pandashme me mosushtrimin e funksionit ushtarak, unë kam vendosur edhe heqjen dorë nga karriera ime ushtarake, pavarësisht nga mundësia që vendimi i gjykatës më ka dhënë. Konsideroj se zgjidhja e ngërçit kushtetues dhe emërimi me sukses i ministrit të Brendshëm, pavarësisht emrit të përveçëm të ministrit, është një interes madhor publik që prevalon mbi interesat e mia individuale”, deklaron Lleshaj. /k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.