Mid’hat Frashëri, udhëtimi i fundit për t’u prehur në atdhe

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ – Arkmorti i shtetarit dhe njeriut të kulturës, Mid’hat Frashëri është mbuluar me ngjyrat kombëtare për të nisur udhëtimin drejt atdheut të tij, Shqipërisë.

Eshtrat e Mid’hat Frashëri do të mbërrijnë në Shqipërinë në datën 14 nëntor, 69 vite pasi ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare.

Kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale një video nga momenti i vendosjes së flamurit kuqezi në arkivolin e Mid’hat Frashërit, në prani të familjarëve të tij.

“69 vjet pasi ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare dhe plot 110 vjet pasi kryesoi Kongresin e Manastirit, shtetari dhe njeriu i kulturës Mid’hat Frashëri, u mbulua sërish me ngjyrat kombëtare për të nisur prej Amerikës, udhëtimin e mbramë drejt tokës mëmë, ku do të mbërrijë më 14 nëntor, për t’u prehur në paqen e pafundme”, shkruan Kryeministri Rama.

Mid’hat Frashëri lindi në Janinë, më 25 mars 1880. Ai ishte djali i atdhetarit të shquar Abdyl Frashëri. Arsimin e mesëm e kreu në Liceun Perandorak të Gallatasaray, dhe në vitin 1904, mbaroi Shkollën e Lartë Administrative po në Stamboll. Në vijim shërbeu në periudha të ndryshme në administratën osmane në vise të ndryshme të Perandorisë Osmane.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mid’hat bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta. /e.caushi/

https://www.instagram.com/p/BqE0qtXgEUr/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.