Mid’hat Frashëri, gjurmët në historinë e diplomacisë shqiptare

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ -“Eshtrat e Mid’hat Frashërit vijnë në tokën mëmë pikërisht në 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit, duke vënë në vend amanetin e tij që të prehej në paqe në Shqipëri, pas 69 vitesh, – shprehet ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, duke theksuar se, – nipi i Frashërllinjve, Naimit dhe Samiut, Mid’hati ishte një nga figurat më të rëndësishme të gjysmës së parë të shekullit të ‘20”.

“Histori e Diplomacisë Shqiptare” pasqyron këtë javë nëpërmjet dëshmive arkivore pjesë të punës së tij diplomatike në pozicionet tepër të rëndësishme që mbajti në fillesat e shtetformimit shqiptar.

Mid’hat Frashëri, personalitet politik e shtetëror, diplomati që la gjurmë në historinë e diplomacisë shqiptare

Mid’hat Frashëri lindi në Janinë, me 25 mars 1880. Ai ishte djali i atdhetarit të shquar Abdyl Frashëri. Arsimin e mesëm e kreu në Liceun Perandorak të Gallata Saray, dhe në vitin 1904, mbaroi Shkollën e Lartë Administrative po në Stamboll. Në vijim shërbeu në periudha të ndryshme në administratën osmane në vise të ndryshme të Perandorisë.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mid’hat bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta.

Mid’hat Frashëri mori pjesë në shpalljen e pavarësisë kombëtare në nëntor 1912, dhe në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemal Vlora ai ishte i ngarkuar me detyrën e Ministrit të Punëve Botore. Këtë funksion ushtroi edhe në administratën e Vidit deri në shtator 1914.

Pas Luftës se Parë Botërore Mid’hat Frashëri migroi në Lozanë të Zvicrës, ndërkohë që qeveria e Durrësit, e krijuar më 25 dhjetor 1918 nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit e dekretoi si Ministër pa portofol. Ajo qeveri e caktoi antar të dërgatës shqiptare të qeverisë së Durrësit në Konferencën e Paqes në Paris, ndërkohë që edhe Federata “Vatra” në SHBA dhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” e deleguan si përfaqësues të tyre në atë Konferencë. Mid’hati nuk shkoi në Paris si anëtar i delegacionit, por qëndroi në Lozanë, duke zhvilluar një veprimtari publicistike e diplomatike shumë të ngjeshur e shumë me vlerë.

Ai qëndroi në Zvicër deri në fillim të nëntorit 1920 kur qeveria kombëtare e Sulejman Delvinës e dekretoi si përfaqësuesin zyrtar të shtetit shqiptar pranë Konferencës së Paqes në Paris. Ai vendosi menjëherë kontakte me personalitete evropiane, miq të Shqipërisë, që ndodheshin pranë qarqeve vendimmarrëse, dhe kërkoi ndihmën e tyre për të mbrojtur të drejtat legjitime të shqiptarëve.

Me atributet e kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqes, në shtator 1920 ai udhëtoi për në Londër, Washington, Boston, Çikago, Detroit, Toronto, ku kërkoi mbështetje politike për çështjen shqiptare e veçanërisht mbështetje ekonomike për forcimin e shtetit të ri shqiptar. Ai luajti një rol përcaktues në modifikimet pozitive që iu bënë vendimeve të ndërkombëtarëve ndaj statusit dhe kufijve të shtetit shqiptar pas lufte.

Më 26 korrik 1921, me vendimin e Këshillit të Ministrave dhe të Regjencës Shqiptare, Mid’hat Frashëri nga kryetar i Delegacionit Shqiptar pranë Konferencës së Ambasadoreve në Paris, që do merrej me trajtimin e çështjeve që nuk morën zgjidhje nga Konferenca e Paqes e ndër to edhe çështja shqiptare, u dekretua edhe I Ngarkuar me Punë pranë Republikës Franceze, pozicione që i mbajti deri në pranverën e vitit 1922. Në qershor 1922, Mid’hat Frashëri u gradua si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Republikën Franceze, madje u miratua edhe akreditimi nga qeveria franceze. Për arsye të vështirësive financiare, Parlamenti shqiptar suprimoi funksionin e Ministrit Fuqiplotë në Legatën shqiptare në Paris, duke lënë vetëm atë të Londrës, që do mbulonte edhe Parisin.

Më 12 tetor 1922 Mid’hat Frashëri kthehet në atdhe. Me vendim të Këshillit të Ministrave ai rifutet në shërbimin diplomatik duke u emëruar ministër Fuqiplotë në Athinë, duke qenë edhe Ministri i parë Fuqiplotë shqiptar në Athinë. Si diplomat Mid’hat Frashëri qëndroi deri më 26 mars 1926, kur Këshilli i Ministrave dhe Presidenti Zog pranuan kërkesën e tij për dorëheqje nga shërbimi, dorëheqje që ai e kishte depozituar që më 16 dhjetor 1925. Pas këtij akti ai kaloi në jetën e tij private, duke mos u marrë me asnjë nëpunësi shtetërore.

Në vitet që Mid’hat Frashëri drejtoi Legatën shqiptare në Athinë ai kërkoi e punoi fort për zgjidhjen e një varg problemesh bilaterale për kohën, ku më të spikatura përmendim hapjen e shkollave shqipe në Greqi në reciprocitet me shkollat greke që qeveria shqiptare kishte lejuar në Shqipëri, apo ndalimin dhe përjashtimin e popullsisë shqiptare sidomos asaj çame nga shkëmbimi i popullsive greko-turke sipas marrëveshjes që kishin bërë këto dy vende ne Lozanë në vitin 1922, si dhe mbrojtjen e pasurisë së myslimanëve shqiptarë nga konfiskimi.

Vdiq në SHBA, New York, me 3 tetor 1949. Pseudonimi i tij letrar ishte Lumo Skëndo.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.