Meta – Kitaroviç, në Zadar për 550-vjetorin e Skënderbeut

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ – Në kuadër të vizitës miqësore të Presidentit Meta në Zadar, së bashku me Presidenten e Kroacisë, Kitaroviç për të përkujtuar 550-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me komunitetin arbanas, si dhe në vijim të punës për vendosjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë mes bashkive të Shqipërisë dhe bashkive të Kroacisë, ambasadori Poda zhvilloi një takim pune me kryetarin e bashkisë, Dukiç, lidhur me masat për përgatitjen e vizitës së dy presidentëve, Meta dhe Kitaroviç, në bashkëpunim me protokollin e shtetit të Kroacisë, komunitetin Arbanas dhe pushtetin vendor.

Vizitën e dy presidentëve, kryetari i bashkisë e cilësoi si një ngjarje të madhe për qytetin e Zadarit, por edhe për komunitetin Arbanas.

Më pas, të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se ekzistojnë të gjitha hapësirat, për të shkëmbyer eksperiencën dhe për të parë konkretisht mundësitë e bashkëpunimit me bashki simotra në Shqipëri, në fushën e turizmit, trashëgimisë kulturore, historike dhe ekonomisë.

Poda dhe Dukiç shprehën bindjen, se ky bashkëpunim do të forcojë edhe më tepër miqësinë mes qyteteve kroate dhe shqiptare por edhe të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Në këtë takim, ambasadori Poda shoqërohej nga deputetja e Parlamentit të Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.