Dekreti për Sandër Lleshajn, Meta kërkesë me 14 pyetje Ministrisë së Mbrojtjes

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ – Presidenti Ilir Meta ka autorizuar sot bërjen publike të pyetjeve josekrete drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me propozimin e Kryeministrit Edi Rama për emërimin e zotit Sandër Lleshaj ministër të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.

“Presidenti i Republikës i qëndron bindjes se nuk mund të ketë asnjë institucion funksional jashtë një Kushtetute funksionale”, theksohet në njoftimin e Presidencës.

Presidenti Meta i ka dërguar ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka në datën 9 nëntor 14 pyetje, ndërsa dokumenti është publikuar ditën e sotme. Dokumenti i është dërguar për dijeni edhe Kryeministrit Edi Rama e Kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Meta kërkon informacion shterues për Sandër Lleshin. Në shkresën e kreut të shtetit theksohet se “z. Sandër Lleshaj vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake dhe duke qenë se ministri si funksion kushtetues është autoritet civil emërimi i tij në detyrën e Ministrit të Brendshëm paraqet një problematikë themelore kushtetuese”.

Në kërkesën e Metës thuhet se, “duke qenë se kandidatura e Sandër Lleshaj, vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, në zbatim të neneve 69, 103, 167/1 të Kushtetutës, emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese”.

“Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhjen ose emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e, as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”, thuhet në njoftimin e Presidencës. /a.g/

Kërkesa drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes për informacion shterues për pozitën e ushtarakut Sandër Lleshi (Lleshaj)

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.