Buxheti 2019, fuqizim i sigurisë së zinxhirit ushqimor nga ferma në tavolinë

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ – Buxheti i vitit 2019 mbështet programin për rritjen e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, përmes fuqizmit të sistemit të kontrollit dhe inspektimit duke përfshirë të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma në tavolinë.

Ministria e Bujqësisë bën të ditur se, aktualisht ka dy zhvillime të rëndësishme në kuadrin ligjor përsa i përket sigurisë ushqimore.

Dy ligje që priten për t’u aprovuar, konkretisht rishikimi i ligjit për ushqimin dhe ligji për shërbimin veterinar, janë me rëndësi për sa i përket forcimit të kontrollit në të gjithë zinxhirin  ushqimorë.

Në aspektin e thjeshtimit të shërbimit veterinar, dikasteri i Bujqësisë parashikon vitin që vjen, të dyfishojë apo trefishojë numrin e inspektorëve veterinarë që qëllim që të kemi minimalisht një veteriner për njësi administrative.

“Ky është sistemi që ne duam të shkojmë. Njësitë që kanë më shumë blegtori do të kenë më shumë se një veteriner. Ky veteriner do të jetë përgjegjës për të gjitha shërbimet e nevojshme, të detyruara të fermave në atë zonë, ku kryesorja është vaksinimi dhe matrikullimi. Ndërkohë që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) është i lirë të kryejë kontrolle në të gjithë zinxhirin ushqimor”, bën të ditur Ministria e Bujqësisë. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.