Belsh, faza e dytë e Rilindjes Urbane, projektohet unaza rreth liqenit

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Projekti i Rilindjes Urbane së Belshit po hyn në fazën e dytë të tij, me përmbylljen e unazës së plotë përreth liqenit.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili zhvilloi një takim me banorët e Belshit, në vijim të fushatës së anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste.

Ai ndau me qytetarët e Belshit lajmin e mirë të vijimit të projektit të Rilindjes Urbane, në fazën e dytë të tij.

“Unë sot kam ardhur në Belsh për të ndarë me ju lajmin e mirë të përfundimit të projektit të fazës tjetër të Rilindjes Urbane të Belshit, e që ka të bëjë me depozitimin në qeveri të aplikimit të Bashkisë së Belshit. E njëjta pamje që kemi sot këtu, pas një viti do të jetë në të gjithë pjesën tjetër të liqenit për të përmbyllur një unazë të plotë përreth tij”, tha Balla.

Ky, sipas Ballës, është një lajm i mirë për të gjithë Belshin, që tashmë është kthyer në destinacionin më të rëndësishëm turistik të qarkut të Elbasanit.

Balla shprehu po ashtu habinë për qëndrimin e opozitës lidhur me datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore.

“Rreth 7 muaj na ndajnë nga zgjedhjet e 30 qershorit. Presidenti Meta vendosi që zgjedhjet të jenë në ditën e fundit të qershorit. Unë propozova një datë në fillim të qershorit, data 9 do të kishte qenë më mirë edhe për shkak të vapës, edhe për shkak të disa punëve në bujqësi. Por u ndjeva i habitur kur opozita nuk pranoi që zgjedhjet të ishin në 9 qershor, por donin datën më të fundit të mundshme, 30 qershorin”, tha Balla.

Sipas tij, “kjo është e vetmja opozitë në botë që kërkon që zgjedhjet të mbahen sa më larg”. “Në përgjithësi opozitat kërkojnë që zgjedhjet të mbahen sa më afër, por këta nga frika e humbjes i duan zgjedhjet sa më larg. Por një gjë është e sigurt, këtu në Belsh, në Elbasan e në të gjithë Shqipërinë njerëzit dinë të bëjnë dallimin mes atyre që punojnë dhe mes atyre që dinë të flenë vetëm gjumë. Kampioni i gjumit sot në Shqipëri është kryetari i opozitës dhe ky nuk është një avantazh për ne. Është një e keqe dhe një dëm për funksionimin normal të demokracisë në këtë vend”, shtoi Balla.

I shndërruar tashmë në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në vend, Belshi është shembulli më i qartë, më i bukur dhe më kuptimplotë sesi mund të transformohet një gërmadhë në një perlë të vogël, buzë liqenit.

Zhvillimi i mëtejshëm i zonës së Dumresë nuk përfshin vetëm fazën e dytë të Rilindjes Urbane të qendrës, por edhe të zonave të tjera duke përfshirë të 82 liqenet që zbukurojnë këtë zonë dhe fshatrat rreth tyre./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.